Kakavijë, aksidentohet familja shqiptare

25/12/2013 00:00

Një aksident tragjik ka ndodhur rreth orës 1 të mëngjesit të së mërkurës, pak metra larg pikës kufitare të Kakavijës.

Në automjetin e aksidentuar po udhëtonin katër anëtarë të së njëjtës familje, të cilët po ktheheshin në atdhe për festat e fundvitit.

Sipas policisë greke, automjeti me targa helene, që drejtohej nga një 41-vjeçar shqiptar humbi kontrollin dhe ra nga një urë 5 metra e lartë.

Prej llamarinave të shkatërruara të makinës, policia greke mundi të nxjerrë trupin e pajete të 41-vjeçarit, ndërsa djali 5-vjeçar, gjyshja 66 vjeçe dhe bashkeshortja 40 u dërguan në spitalin e Janinës në gjendje të rëndë shëndetësore.

Mjekët e spitalit thanë se gjendja e fëmijës dhe gjyshes së tij është tepër e rëndë, ndërsa mamaja është në gjendje më të mirë. Sipas burimeve, ata kanë fraktura në pjesë të ndryshme të trupit.

Policia tha se dyshon se shkak për aksidentin ka qenë gjendja e përgjumur e drejtuesit të automjetit. Hetimet po kryhen prej policisë rrugore të Janinës, ndërsa trupi i pajete i 41-vjeçarit është çuar në morgun e qytetit.

Top Channel