Misteri i bombës me celular

24/12/2013 00:00

Kini kujdes kur shisni telefonin tuaj të përdorur apo kur blini një telefon të përdorur. Një i ri nga Tirana ndodhet nën hetim nga Krimet e Rënda për shkak se dyshohet se telefoni i tij ka qenë pikërisht ai i përdorur në atentatin e mbetur në tentativë ndaj Prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi.

Duke qenë se hetimet janë përqendruar tek zbulimi i personit që e posedonte më herët këtë aparat ‘Samsung’, të instaluar me dy detonatorë dhe eksploziv C4, prokurorët kanë zbuluar pronarin e tij.

Ai është një i ri kryeqytetas, i identifikuar pas teknikave speciale të hetimit sipas gjurmëve që lë cdo kartë telefonike e përdorur në aparatin ceular. Por burimet thane për Top Channel se i riu rezulton ta ketë shitur aparatin në datën gjashtë dhjetor në tregun e zi dhe i ka thënë prokurorëve se nuk e di se cili është personi që e ka blerë.

Ndërkohë që prokurorët kanë zbuluar se numri i telefonit i përket një burri të moshuar nga Vlora dhe është aktivizuar më datën 4 dhjetor thanë ata. Edhe ky shtetas ka deklaruar se numrin kishte kohë që nuk e përdorte dhe nuk ka informacion se kush e ka aktivizuar.

Për prokurorët, shpresa e vetme është qeliza e telefonit, ose thënë ndryshe një përgjigjje nga kompanitë celulare që tregojnë lëvizjet e cdo aparati celular kur ai është i aktivizuar me kartë telefonike.

Top Channel