Dosja “Gjika” transferohet në Tiranë

19/12/2013 00:00

Gjykata e Lartë vendosi të transferojë dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, i akuzuar për faslfikim dokumentash, si dhe të shtatë personave të tjerë, në kompetencë të gjykatës së Tiranës.

Në këtë mënyrë, Gjykata e Lartë ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Vlorës, e cila për shkaqe sigurie refuzoi që dosja “Gjika” të gjykohej në qytetin e Vlorës, në një kohë që shtyrja e procesit në gjykatën e qytetit në të dyja seancat ishte jo për këtë arsye, por për shkak të mungesës së njërit prej të pandehurve.

Në kërkesën drejtuar Gjykatës së Lartë, organi i hetimit përdori si argument edhe faktin e grumbullimit të mjaft qytetarëve para gjykatës së Vlorës gjatë kohës që në të zhvillohej procesi, si një mënyrë presioni ndaj trupës gjyqësore. Sipas prokurorisë, Gjika ka lëshuar dy leje ndërtimi pa i kaluar fare në Këshillin e Territorit.

Prokuroria nisi hetimet ndaj Gjikës në muajin shkurt 2013, duke e akuzuar se, në cilësinë e kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim me të pandehurën Eleni Dardhaj, në cilësinë e punonjëses në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit, kanë falsifikuar përmbajtjen e dy procesverbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Vlorës, përkatësisht të datës 24 mars 2010 dhe 15 korrik 2010. Ndërkohë, 6 personat e tjerë akuzohen për ndërtim të paligjshëm.

Top Channel