Enver Dondollaku ekstradohet nga Italia

18/12/2013 00:00

Pas më shumë se tetë vitesh, Enver Dondollaku, një ndër anëtarët kryesorë të bandës së Lushnjes të drejtuar nga Aldo Bare, është ekstraduar në Shqipëri.

Dondollaku ka marrë dënimin me 25 vjet heqje lirie nga Gjykata e Krimeve të Rënda për të paktën katër vrasje, si dhe një seri veprash penale të tjera, mes të cilave edhe ajo si pjesëtar i një bande të armatosur.

Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana kreu gjatë mesditës së të mërkurës nga Roma ekstradimin e tij. 38-vjeçari Dondollaku e kishte marrë dënimin që në vitin 2009, por ai kryente në Itali një tjetër dënim, për trafik dhe shpërndarje droge.

Dondollaku, lindur dhe banues në Lushnje, u gjet fajtor për vrasjen e katër personave, krime të kryera këto në harkun kohor 1997-1999, në rrethin e Lushnjes. Dënimi i tij është dhënë në mungesë.

Akuza të tjera për të cilat ai u shpall fajtor ishin edhe: shkatërrim i pronës, prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake, vjedhje me dhunë dhe kryerje e veprave penale nga organizata e strukturuar kriminale.

Top Channel