Nafta, burg pa afat 7 kontrabandistëve

16/12/2013 00:00

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 8 të arrestuarit e akuzuar për kontrabandë me mallra të akcizës.

Arrestimet janë vlerësuar si të ligjshme nga drejtuesja e seancave gjyqësore, gjyqtarja Shpëtime Pitaku, e cila pasi ka dëgjuar palët ka vendosur lënien në dhomat e paraburgimit pa afat për 7 nga të arrestuarit, si dhe caktoi 30 ditë burg, si masë sigurie personale për të vetmen grua të arrestuar gjatë operacionit “Dallga”, një biznesmene 60-vjeçare, pronare e një prej anijeve të peshkimit.

Të arrestuarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në vijimësi kanë organizuar dhe realizuar kontrabandimin e sasive të konsiderueshme të naftës që sigurohej në Mal të Zi, si dhe pijeve alkoolike, që tregtoheshin më pas në tregun e brendshëm, duke siguruar fitime përmes shmangjes së detyrimeve doganore.

Seancat gjyqësore u zhvilluan pa praninë e mediave, përfaqësuesit e të cilave u detyruan të largohen nën presionin e familjarëve të të arrestuarve.

Top Channel