Vlora, kryeqendra e atentateve

13/12/2013 00:00

Vlora mban rekordin e shpërthimeve me eksploziv në vitet e fundit. Ngjarja më e rëndë mbetet padyshim ajo e vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, më 9 shtator 2011. Ende dosja nuk ka asnjë autor.

Në të njëjtin vit u hodh në erë shtetasi Renato Abazi, i cili u ekzekutua në qendër të qytetit. Ndërkohë që tritol vetëm gjatë muajit qershor 2013, përpara zgjedhjeve u gjet në basnesën e Ardian Kollozit, kreut të PD-së Vlorë, sekretarit të Partisë Socialiste dega Vlorë, Kreshnik Tepelena, biznesmenit Ermal Brahimi, si edhe prokurorit të Vlorës, Dorian Tafili.

Në vrasjet pa autor dhe më të rëndat të shkaktuara nga shpërthimet me eksploziv mbetet ajo e biznesmenit palestinez në Tiranë, Anuar Rivzik. Sasia e eksplozivit shpërtheu pak metra në afërsi të selisë së ambasadës amerikane duke krijuar panik edhe tek banorët në rrugën Budi.

Anuar Rizvik, 43 vjeç, humbi jetën nga plagët e rënda të marra në këtë shpërthim. Eksplozivi ishte vendosur në portën e një vile dykatëshe ku banonte palestinezi dhe bashkëshortja e tij.

Mekanizmi i eksplozivit ishte vendosur në mënyrë të atillë, që të vihej në lëvizje pas hapjes së portës, megjithëse ka qenë e pajisur edhe me mekanizmin e komandimit në distancë.

I vendosur në pjesën e jashtme të saj, Rivzik nuk ka pasur mundësinë që ta dallojë atë në momentin që po dilte nga apartamenti i tij.

Por shpërthime me eksploziv me telekomandë ka raste të shpeshta në vend. Në Shkodër një vit më parë u ekzekutua një biznesmen. Në Tiranë kanë mbetur të gjymtuar disa persona nga shpërthimet në ecje të automjeteve të tyre.

Në Golem, një sasi e konsiderueshme e vendosur në automjetin e kryetarit të komunës nuk shpërtheu. Rastet janë të pafundme. Rezultati që është i njëjtë mbetet vetëm ai, që askush prej atentatorëve nuk është arrestuar.

Top Channel