Paditet ish-drejtori i Albpetrol

13/12/2013 00:00

Administrata e Albpetrol ka paditur në Prokurorinë e Fierit ish-drejtorin e përgjithshëm të kësaj kompanie, Ferdinand Murati, për abuzime financiare në vlerën e disa milionë dollarëve.

Përmes një njoftimi për shtyp, Albpetrol njofoti se pas një kontrolli të ushtruar nga auditi i Ministrisë së Energjitikës është konstatuar mungesa e rreth 3 mijë tonë naftë bruto, vlera e të cilës arrin në 1.2 milionë dollarë.

Po kështu, sipas Albpetrol, zoti Murati ka abuzuar me tenderat duke favorizuar në mënyrë të jashtëligjshme një shoqëri, të silës, siç thotë njoftimi, i ka dorëzuar mallin edhe pa arkëtuar vlerën përkatëse prej 9 milionë dollarësh.

Sipas kontratës, kjo vlerë duhet të ishte parapaguar dhe siç pretendon Albpetrol, tani arkëtimi i saj është ligjërisht i pamundur. Por veç abuzimeve me tenderat, Albpetrol thotë se ish-drejtori Murati ka rritur në mënyrë të paligjshme numrin e punonjësve në shoqëri, duke shkaktuar një dëm prej 9 milionë lekësh të tjera.

Në përfundim të kontrollit, Albpetrol ka dalë në konkluzionin se ish-administratori Ferdinand Murati ka konsumuar elementë të disa veprave penale nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve me dashje. Kjo, sipas njoftimit, ka sjellë dëm konkret në interesat dhe pasurinë e shoqërisë, në vlerën e disa milionë dollarëve.

Në fund Albpetrol bën të ditur se do të vazhdojë të kryejë edhe verifikimin e veprimeve dhe proçedurave të tjera të kryera nga administrata paraardhëse për të zbuluar të gjitha shkeljet e kryera.

Top Channel