Vrasja e vëllezërve, familjarët kërkojnë hetime

10/12/2013 00:00

Me kërkesën e familjarëve, në Devoll nisi ekspertiza mjeko-ligjore për Melsi dhe Klevis Çollaku, dy vëllezërit nga fshati Shuec të vrarë nga policia greke mbrëmjen e së shtunës..

Familjarët refuzuan të varrosin dy të afërmit e tyre dhe kërkuan me këmbëngulje bërjen e ekspertizës mjeko-ligjore nga specialistët shqiptarë. Ata hedhin dyshime mbi versionin grek se dy vëllezërit mbetën të vrarë pas një shkëmbimi zjarri.

“Kërkojmë urgjent të kryhen hetime. Dy djemtë nuk ishin trafikantë. Melsi ishte me duar të thyera, ndërsa Klevisi me dëmtime në kokë dhe fytyrë. Dy vëllezërit fillimisht janë torturuar, ndërsa më pas janë vrarë nga policia greke. Nuk është gjetur armë në kasolle dhe polici grek është vrarë nga kolegët e tij”, thonë familjarët e dy viktimave.

Sipas tyre, dy vëllezërit janë vrarë në tokën shqiptare dhe jo në tokën greke, sic pretendon policia e vendit fqinj në versionin e saj.

“Ata nuk ishin trafikantë, por peshkatarë”, thonë të afërmit e dy viktimave.

Dy vëllezërit u vranë të shtunën nga policia greke në afërsi të liqenit të Prespës. Sipas autoriteteve greke, bashkë me dy shqiptarët, u vra edhe një polic. Por disa media në Athinë hodhën dyshime mbi ngjarjen duke vënë në pikëpyetje versionin e policisë.

Ajo që përforcon më shumë dyshimet e mediave dhe të familjarëve të dy viktimave është edhe ekspertiza e parë mjeko-ligjore sipas të cilës dy vëllezërit janë goditur nga pas shpine me armë, njëri me 5 dhe tjetri me 2 plumba.

Top Channel