Njohja e viteve të punës së emigrantëve

10/12/2013 00:30

Shqipëria dhe Belgjika nënshkruan Marrëveshjen Sociale, që do të sigurojë njohjen e viteve të punës nga të dy vendet respektive, për 35 mijë emigrantët e rregullt shqiptarë.

“Është hera e parë që nënshkruajmë një marrëveshje të tillë me një vend të Bashkimit Europian. Kjo do të shërbejë si etalon edhe për marrëveshje të tjera. Me ndihmën e ambasadorit do vazhdojmë me Luksemburgun, e më pas edhe vende të tjera anëtare. Sigurisht, shumica e emigrantëve jetojnë në Itali e Greqi, aty ku dhe presioni për të pasur marrëveshje të tilla është më i madh, por duke qënë se ka implikime shumë të mëdha financiare, jemi shumë të lumtur që kemi filluar, të paktën, me një shtet anëtar të BE-së dhe besoj se ky i sotmi është një lajm i mirë për ata 35 mijë shqiptarët, që jetojnë në Belgjikë”, tha Erion Veliaj, ministër për Çështjet Sociale.

TCH: Së fundmi zoti Ministër, kam zbuluar se rezultoj, në tërësi, me vetëm dy muaj kontribute në arkivat e Sigurimeve Shoqërore, pavarësisht vulave të rregullta në libreza prej vitit 2000, e ky nuk është rast i izoluar, nuk prek vetëm gazetarë, por dhe profesione të tjera. A i njeh shteti shqiptar këto vite pune, çfarë të dhënash do t’i kaloni autoriteteve belge?

“Instituti i Sigurimeve Shoqërore është duke kaluar një proçes dixhitalizimi. Kjo do të thotë se po shkojmë nga një sistem paramodern, ku gjithçka mbahej me letër dhe laps, në një sistem ku çdo gjë do të jetë elektronike. Kështu që ky proçes ende nuk ka mbaruar, ka nisur prej disa muajsh. Besoj se vetëm kur të ketë mbaruar procesi i dixhitalizimit, ne do të mund të bëjmë verifikime, ndoshta duke marrë kampione si rasti në fjalë, për të verifikuar nëse çdo gjë që ekziston në letër, ekziston dhe në mënyrë elektronike. Megjithatë, kundër-bileta, ajo që vërteton pagesën, është libreza e sigurimeve shoqërore që mban çdo person dhe çdo vulë aty është e vlefshme. Kjo do të thotë se, për këdo person që do të bëjë rakordime me sistemin e ri të dixhitalizuar, mund ta bëjë këtë”, deklaroi Erion Veliaj.

Ndërkohë që Shqipëria kompjuterizon të dhënat për kontributet shoqërore, autoritetet belge vijojnë proçedurën me krijimin e projektligjit mbi këtë marrëveshje, e cila duhet të miratohet nga qeveria, e më pas të ratifikohet nga Parlamenti federal belg, ashtu sikundër dhe nga Kuvendi i Shqipërisë.

Mësohet se, nevojitet të paktën edhe një vit kohë, që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi. Një zyrtar belg rrëfeu për Top Channel se “përveç axhendës rutinë”, kjo do të varet dhe nga “zgjedhjet e majit në Belgjikë”.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel