Berat, kapet i shumëkërkuari, vrau në ‘97

09/12/2013 00:00

Policia e Beratit prangosi një 49-vjeçar, i shumëkërkuar prej 16-vitesh me akuzën e vrasjes së dy personave gjatë trazirave të vitit 1997.

I arrestuari është identifikuar si Kudret Zhuka. Zhuka u arrestua ditën e hënë në lagjen “Kushtrimi” të qytetit të Beratit.

Prangosja e tij mbërriti pas 2 muajsh hetimesh. Ai akuzohet në gjatë trazirave të 1997-ës ka vrarë me armë zjarri dhe më pas ka djegur me benzinë shtetasit Eduart Pema, 27 vjeç dhe Arjan Avdullaj, 18 vjeç.

Policia kaloi gjithë dosjen në ngarkim të 49-vjeçarit tek prokuroria e rrethit për hetimet të mëtejshme.

Fier, vritet me thikë 27-vjeçari

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së hënës në fshatin Suk të rrethit të Fierit, ku një 27-vjeçar është vrarë me armë të ftohtë.

Sic njoftojnë uniformat blu të Fierit, 27-vjeçari Kastriot Toska ka gjetur vdekjen si pasojë e disa goditjeve me thikë, plagët e të cilave rezultuan fatale për të.

Policia identifikoi autorin e ngjarjes së rëndë. Sipas saj ai është 40-vjeçari, Tomorr Kasa.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive banale, pas një zënke mes viktimës dhe autorit të sulmit, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Policia është vënë në ndjekje të tij, ndërkohë që vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa në pyetje janë marrë edhe dëshimtarë okularë të saj.

Top Channel