Elbasan, trafik armësh, 4 në pranga

08/12/2013 00:00

Strukturat e Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë se Elbasanit ka vënë në pranga 4 persona me akuzën e trafikimit të armëve dhe municioneve.

Në sajë të operacionit “Rruga e Fundit”, i cili u krye në orët e vona të së shtunës,  u bë i mundur arrestimi i Afrim Dodës, 43 vjeç i dënuar më parë për vrasje, dënim të cilin e kishte kryer dhe kishte rreth dhjetë vite i lirë, Jetmir Rrumbullaku 39 vjeç, Roland Doda 37 vjeç si edhe Aleks Milloshi, 32 vjeç,që të katërt banues në fshatin Krrabë të komunës me të njëjtin emër.

Arrestimi i këtyre personave u bë pas informacioneve të marra nga ana e strukturave të policisë së Elbasanit, mbi posedimin e municioneve. Në momentin e arrestimit katër personat u gjetën në nje barakë ne fshatin e tyre, ku gjithashtu policia gjeti dhe sekuestroi 110 kilogram eksplozivi e llojit amonit, si dhe 650 kapsolla detonatore.

Pas marrjes në pyetje të ndaluarit pranuan posedimin e municioneve, por sipas tyre ato nuk ishin për trafikim, por të mbetura që nga viti 1997. Materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar tashmë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për hetime të mëtejshme.

Top Channel