Vlorë, shembja e kompleksit ‘Jon’

07/12/2013 00:00

Në përfundim të largimit të të gjitha pajisjeve dhe mobiljeve të banesave në kompleksin ‘Jon’, në Ujin e Ftohtë në Vlorë, INUK dhe policia morën në dorëzim ndërtimin, duke penguar çdo person që të hyjë aty.

Ndërkohë, mjetet e rënda të INUK kanë vijuar shkatërrimin e pjesës së fasadës së kompleksit për t’i hapur rrugën xhenierëve që po hapin vendet në kolonat e betonit, ku do të vendoset eksplozivi C4 që do të shpërthejë të gjithë ndërtesën për ta rrëzuar në tokë.

Thuhet se janë të paktën 300 kilogramë C4 që do t’i vendosen kësaj ndërtese për të cilën është vendosur shembja. Më herët, me një vendim qeverie u bë dëmshpërblimi i pronarëve të pallatit, sipas vlerës që e kanë regjistruar në zyrën e hipotekës në Vlorë.

E më pas ju dha afat 5 ditë banorëve dhe pronarëve që të nxirnin gjithë pajiset nga ndërtesa që do shkatërrohet. Paralelisht nisi puna për shkatërrimin e pjesës ballore, pishinës dhe një lokali që ndodhet para ndërtimit në zonën e ujit të ftohtë.

Arsyeja e shkatërrimit është se ndërtimi pengon planet urbanistike të qytetit, ka shkelje në lejen e dhënë, ka zënë hapësirë deti, ndërsa është bërë edhe një padi në gjykatë për shkak se është vërtetuar se në vërtetimin e shitjes së trojeve janë gjetur edhe firma të vendosura në emër të disa personave të vdekur.

Xhenierët që po bëjnë edhe projektin e shembjes për disa ditë rresht do të hapin 1.500 vrima në kolonat e kompleksit për të realizuar më pas shembjen me një shpërthim të vetëm.

Prishja e ‘Jon’ në ‘Corriere’

Mediat italiane komentojnë aksionin e qeverisë shqiptare

E përditshmja prestigjoze italiane “Il Corriere della Sera” i jep jehonë luftës kundër ndërtimeve pa leje në Shqipëri.

Një shkrim i gazetarit shqiptar Leonard Berberi, i cili gjithnjë e më shpesh tërheq vëmendjen e lexuesve italianë mbi zhvillimet më të rëndësishme në Shqipëri, përshkruan këtë plagë të rëndë që ka pushtuar vendin, por edhe kthesën e shënuar nga qeveria e re.

Kthesë që sipas gazetës ka nisur pikërisht më 20 tetor të këtij viti, me shembjen e godinës tek Fakulteti Ekonomik në Tiranë, ngjarje e transmetuar live nga disa televizione shqiptare.

Në shkrim citohen politikanët ose të afërmit e tyre që kanë firma ndërtimi, si për shembull vjehrri i kryebashkiakut të Tiranës, Lulzim Basha, që flet për ‘një sulm politik’.

Ndërsa zëra nga e majta në pushtet thonë: ‘Ky është vetëm fillimi. Koha do të tregojë nëse ka qenë një flakë kashte, ose një kapitull i ri për vendin’.

Autori i reportazhit përmend edhe rrezikun e padrejtësive që mund të hasen në një luftë të tillë, që qeveria shqiptare e përmbledh me pak fjalë: ‘Çdo gjë pa leje duhet prishur’ dhe se ‘ligji është njëlloj për të gjithë’.

Në komentet e shumta të lexuesve dallohet qartë dëshira që diçka e tillë të ndodhë edhe në Itali.

Top Channel