Vrasja për një goditje me sup

06/12/2013 00:00

Gjykata vlerëson të ligjshëm arrestimin dhe lë në qeli adoleshentin Endrin Varaku dhe mësuesin e praktikës mësimore në orën e të cilës ndodhi vrasja që shokoi opinionin publik dhe rriti frikshëm pasigurinë brenda mureve të ambjenteve shkollore.

Adoleshenti Endrin Varaku nuk ka deklaruar asgjë mbi ngjarjen, ndërsa përmes avokatit mbrojtës i janë shprehur ngushëllime familjes së viktimës. Prokurorja Enkeleda Xhengo ka ndërtuar historinë që u mbyll me vrasjen e 16-vjeçarit Adriatik Tota.

Prokurorja Enkeleda Xhengo tregoi dinakimën e ngjarjes. Sipas saj, ditën e ngjarjes Varaku ka kërkuar të bëjë mësimin me grupin që do të shkonte te mësues Thoma Llazari, pasi mësuesi i vitit të parë mungonte atë ditë dhe klasa e tij u nda nga drejtoresha në grupe me mësues të tjerë të praktikës.

Mësuesi i arrestuar rezulton që para krimit i ka drejtuar një pyetje Varakut dhe më pas kanë dalë në 10 minutëshin e pushimit mes orëve. Varaku, sipas akuzës, armën automatike me dy karikatorë me fishekë e kishte gjetur rastësisht buzë lumit Erzen dhe e kishte fshehur që më parë në dollapin e veglave të punës në ofiçinë.

Ditën e krimit ai e ka marrë prej andej armën dhe i është afruar Totës, me të cilin ka pasur një konflikt verbal të hapur. Fillimisht arma nuk është shkrepur dhe i dyshuari e ka bërë gati sërish. Plumbi i parë e ka prekur në sup dhe Tota ka ngritur duart përpjetë, po kjo nuk ka mjaftuar që autori të mos qëllojë sërish mbi të. Këtë herë në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.

Në muajin gusht rezulton që dy adoleshentët të jenë konfliktuar për një goditje në sup kur kanë qenë në të njëjtin autobus. Ky ka qenë kontakti i parë mes tyre, sipas dëshmisë së dhënë në prokurori nga i arrestuari, ndërsa një muaj më parë ata janë konfliktuar sërish në shkollën ku mësonin të dy.

Psikologia e pranishme në seancën e vleftësimit dhe të caktimit të masës së sigurisë u shpreh se fëmijët vijnë nga kultura të ndryshme dhe kjo shpesh rrit agresivitetin mes tyre. 15-vjeçari Varaku akuzohet për veprat penale të “vrasjes në rrethana cilësuese” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Më pas është zhvilluar seanca gjyqësore për mësuesin Thoma Llazari, i cili akuzohet për moskallëzim të krimit. Sipas akuzës, mësuesi e njihte autorin edhe sepse janë nga e njëjta zonë, ndërsa deklarimet e tij pak pas ngjarjes kanë krijuar vështirësi në zbardhjen e shpejtë të saj.

Ndërkohë, mbrojtja kërkoi vleftësimin e arrestimit si të paligjshëm dhe lirimin e mësuesit, pasi ai nuk ka qenë i pranishëm në momentin e krimit dhe deklarimin e ka bërë në kushtet e tronditjes së rëndë psiqike.

Top Channel