Shqipëria, anëtare e Europol-it

06/12/2013 00:00

Këshilli i ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian vendosi të autorizojë Zyrën e Policisë Europiane (Europol) për nënshkrimin e marrëveshjes strategjike dhe operacionale të bashkëpunimit me Shqipërinë.

Ky vendim u miratua nga vendet anëtare, pa diskutime, sipas proçedurës për pikat A.

Marrëveshja e re pritet të përmbledhë në një instrument të vetëm, dy marrëveshjet aktuale në fuqi mes Shqipërisë dhe Europol.

Ajo synon parandalimin dhe luftën kundër formave të rënda të krimit të organizuar, si trafiku i lëndëve narkotike e qenieve njerëzore, pastrimi i parave, apo trafiku i veprave të artit, por edhe ndaj terrorizmit dhe formave të tjera të krimit ndërkombëtar, në veçanti përmes shkëmbimit të informacionit.

Bashkëpunimi përfshin shkëmbimin e njohurive, dhënien e konsulencës apo trajnimet e ndryshme për hetimet kriminale.

Për palën shqiptare, marrëveshja e re, që pritet të nënshkruhet javën e ardhshme, synon ngritjen e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Europol-it, në të njëjtin nivel si me policitë e vendeve anëtare. Përgatiti: Arta TOZAJ

Tahiri, letër homologëve: Kemi bërë përparime në luftën ndaj krimit

Takimi dy ditor i ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian, që ka nisur një ditë më parë, ku do të autorizohet nënshkrimi i marrëveshjes për përfshirjen e Shqipërisë në EUROPOL, është paraprirë nga një letër, që ministri ynë i Brendshëm, Saimir Tahiri, iu ka nisur të gjithë homologëve të tij të vendeve anëtare.

Tahiri informon ministrat e Brendshëm të vendeve të BE-së mbi arritjet e policisë shqiptare në këto dy muaj.

Duke e nisur me reformat strukturore në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, ministri Tahiri thotë se qëllimi i qeverisë shqiptare është të ketë rezultate të qëndrueshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Në këtë të fundit, ministri Tahiri rendit si fakt të parë të angazhimit serioz në ndërtimin e një policie në zbatim të ligjit dhe sipas parimit të llogaridhënies e transparencës, hetimet brenda radhëve të policisë, ku 47 oficerë u përballen me 29 akuza të ngritura për korrupsion.

Për një periudhë gati dy mujore, ministri iu deklaron homologëve se është rritur në masën 53,5% kapja e lëndëve narkotike, krahasuar me një vit më parë. Ka, gjithashtu, një rritje në masën 473,6% numri i krimeve ekonomike të raportuara, përfshi dhe rastet e korrupsionit.

Tahiri referon gjithashtu edhe rezultatet e operacioneve të policisë kundër lojrave të paligjshme të fatit. Në të njëjtën periudhë, drejtoritë e Krimit Ekonomik dhe Financiar identifikojnë në total 123 shkelje, që lidhen me korrupsionin, që përfshijnë 176 autorë, mbyll informimin ministri i Brendshëm.

Këto evidenca janë të mjaftueshme për të treguar angazhimin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për adresimin e kërkesave ligjore, konkludon Tahiri.

“Mbetem shpresëplotë se, ju do risiguroheni nga këto fakte të para për një qasje të re të zbatimit të ligjit në Shqipëri”, shkruan ai. Tahiri vlerëson në fund se “Marrëveshja për bashkëpunimin operacional dhe strategjik me EUROPOL përbën një hap gjigant përpara, në rrugën e Shqipërisë drejt BE”.

Top Channel