Durrës, mashtronin për punësim, arrestohen

06/12/2013 23:05

Agjentët e antikrimit ekonomik në Policinë e Durrësit kanë arrestuar në flagrancë, pas një operacioni të realizuar pranë stacionit të trenit në Durrës, dy persona të përfshirë në skemën e mashtrimit të punësimit ndërkombëtar.

Të arrestuarit janë Luan Bytyçi, 42 vjeç, lindur në Malishevë dhe banues në Tiranë, me detyrë administrator i agjencisë turistike “ATG Tiranë”, dhe Baki Myrtollari, 52 vjeç, banues në Durrës.

Këta shtetas dyshohen se kanë mashtruar për punësim në disa shtete; si Rusi, Turqi, Holandë; një numër të konsiderueshëm personash të papunë, të cilëve kundrejt plotësimit të kontratave të falsifikuara të punes u kanë marrë shuma që variojnë nga 150-1500 dollarë për person.

20 nga personat e mashtruar kanë depozituar brenda këtij muaji kallëzimet e tyre në polici, ndërkohë që numri total i të mashtruarve nga dokumentat, fotokopjet e pasaportave – të gjetura gjatë kontrollit të banesave të dy të arrestuarve, – rezulton të jetë rreth 100.

Kallëzuesit janë kryesisht të papunë nga lagjet 17 e 18 të qytetit bregdetar, ndërsa në cilësinë e provës është sekuestruar dokumentacioni i gjetur, si dhe një autoveturë.

Top Channel