Gjirokastër, dhuna në familje

05/12/2013 00:00

“Unë kam dëshirë që këtë vit ta festoj Vitin e Ri. Të lutem gjeji mamit
një punë që ta festojmë edhe ne Vitin e Ri as asnjeherë nuk e kam
festuar. Babi vinte cdo ditë i pirë, edhe darkën e Vitit të Ri dhe unë
me mamin nuk gëzonim.”

Këto janë fjalë të shkëputura nga një kërkese me shkrim që ka mbërritur pranë Zyrës së Shërbimit Social në Gjirokastër nga një fëmijë 11 vjeç. Yllka 56 vjeç dhe e bija 11-vjeçare kanë jetuar për vite me radhë nën dhunën verbale dhe fizike të bashkëshortit Edmondit dhe tani eshte ne pritje te urdherit te mbrojtjes.

“Prej 18 vjetësh jam e dhunuar prej bashkëshortit tim. Kam marrë kërcënime nga më të ndryshme, dhunë ndaj fëmijës, dhunë ndaj meje. i alkoolizuar, i papunë, sharjet nga më të rëndat. E kam denoncuar tre herë, nuk më kanë dhënë urdhër mbrojtje. E mbajtën tre ditë të arrestuar dhe e nxorrën sërish”, thotë gruaja e dhunuar.

Yllka është e papunë dhe pambrojtur. Ajo është mes rasteve të grave që për shkak të mentalitetit e ka mbajtur të fshehtë për vite me rradhë dhunën. Sot ajo kërkon publikisht mbështetje. Por rastet e dhunës në familje që kryesisht godasin gratë dhe fëmijët sipas drejtores së Shërbimit Social në Gjirokastër Albana Allushi janë me qindra. Shumica e tyre kanë ende frikë të denoncojnë ndërsa ka të tjera që janë të detyruara të zgjedhin dhunën përkundrejt mjerimit ekonomik. Sipas të dhënave lokale rezulton që burrat dhunues janë ata që sigurojnë të ardhurat kryesore për këto familje.

“Kanë qenë kushtet ekonomike ato të cilat nuk e kanë lejuar këtë grua që ta bëjë një denoncim dhe një akt të tillë. Në bisedën që kam patur me Yllkën janë edhe një sërë elementesh të tjerë, turpi, paragjykimi i opinionit”, thotë Allushi.

Masa e ndihmës për gratë që tentojnë të dalin nga cikli i dhunës fillon nga 2600 lekë në muaj dhe së bashku me ndihmën për fëmijët nuk i kalon të 4000 apo 5000 lekët në muaj, vlera që nuk garantojnë pavarësinë e personave të dhunuar.

Top Channel