Pagesa për aftësinë e kufizuar

03/12/2013 00:00

Në Ditën Ndërkombëtare të Aftësisë së Kufizuar Kryeministri i vendit Edi
Rama ka premtuar se do të nisin menjëherë pagesat e aftësise së
kufizuar.

“Jam i revoltuar për mospagesat tuaja mujore. Ka vite që nuk i merrni rregullisht. Më zi se shuma krejt e pamjaftueshme e pagesave, mospagesa e rregullt e tyre prej vitesh është shprehja më e ulët e një abuzimi social që ka burim të vetin prej vitesh, Qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Sot del dhe kërkon llogari për fonde të grabitura  dhe të shpërdoruara pa as më të voglën vrasje të ndërgjegjes në dëmin tuaj të drejtpërdrejtë”, tha Rama.

Kryeministri premtoi se ne janar do te jepen edhe pagesat e prapambetura, nderkohe qe akuzoi Qeverine Berisha per fonde te grabitura dhe fonde te shperdoruara gjate fushtes elektorale.

“Ju siguroj që Qeveria do të bëj çmos, që krahas pagasave të pjesshme mbi masën e fondit qesharak që na mbeti pas fushatës së fundit elektorale të babëzisë dhe marrëzisë, të mundësohet shpërndarja e pagesës më të plotë për muajin dhjetor për të gjitha grupimet e aftësisë së kufizuar, përfshirë edhe invalidët e punës. Parashikojmë që me fillimin e buxhetit të vitit 2014 të shlyhen edhe detyrimet e prapambetura të mbartura, jo për fajin tonë, por pavarësisht se i kujt është faji, nuk është faji që juve në fund të ditës do t’ju mbajë shpirtin gjallë”, theksoi Rama.

Kryeministri akuzoi se shperdoruesit e fondeve te aftesise se kufizuar po perdorin pushtetin e fjales per te shpifur per kedo qe  eshte ndryshe nga ata.

“Në formë shifrash dhe sharjesh duan të lajnë duart dhe ta kalojnë përgjegjësinë e jashtëzakonshme të mospagesave shpërfillëse ndaj jush për vite e vite, tek ne që jo vetëm sot për sot nuk kemi asnjë përgjegjësi, por edhe nuk kemi asnjë lek të mbetur në arkën e këtij viti shkatërrimtar për buxhetin e bërë rrush e kumbulla prej tyre në fushatën elektorale të qershorit”, tha Rama.

Bode: Qeveria braktis personat me aftësi të kufizuara

Ish-ministri i Financave Ridvan Bode, në një deklaratë për media, akuzoi kryeministrin Edi Rama gënjen kur thotë se paratë për personat me aftësi të kufizuara u shpenzuan në fushatë.

“Personat me aftësi të kufizuara gjenden të braktisur nga Qeveria. Personat më aftësi të kufizuara nuk janë prioritet i Qeverisë Rama”, tha Bode.

Ish-ministri theksoi se Rama nuk ka asnjë alibi për lënien pa bukën e përditshme personat me aftësi të kufizuar.

Top Channel