Eksportet shpëtojnë ekonominë

30/11/2013 00:00

Pavarësisht krizës së rëndë ekonomike të Eurozonës, por edhe rajonit,
eksportet e Shqipërisë në këto tregje vazhdojnë të rriten me ritme
dyshifrore.

Të dhënat e fundit zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se për dhjetëmujorin eksportet arritën në 203.9 miliardë lekë ose 16.5 për qind më shumë se njëjta periduhë e vitit të kaluar. Që pas 2009-ës, kur kriza goditi ekonominë, shkëmbimet tregtare me jashtë kanë qenë treguesi me ecurinë më të mirë.

Sipas të dhënave, nëse në vitin 2009, eksportet në vlerë ishin sa 24.4 për qind e importeve, vitin e kaluar ky tregues arriti në 40.3 dhe këtë vit gjasat janë që për herë të parë në histori eksportet të mbulojnë gati 50 për qind të vlerës së importeve. 

Ndonëse rritja më e madhe e tyre ka ardhur nga lëndët e para, veçanërisht naftës dhe pasurive të tjera natyrore, të dhënat tregojnë se këtë vit rritje ka edhe për fasonin por edhe produktet bujqësore.

Sipas Bankës së Shqipërisë rritja e eksporteve dhe përmirësimi i bilancit tregtar ka qenë faktori kryesor që nuk lejoi rënien e ekonomisë në recesion, veçanërisht në tre vitet e fundit.

Ndërsa Banka Botërore, thotë se në kushtet kur konsumi i brendshëm pritet të jetë i dobët edhe gjatë viteve në vijim, Qeveria duhet ta orientojë ekonominë drejt eksporteve për të mbajtur rritjen ekonomike.

Por kjo sipas saj kërkon përmirësimin e klimës së biznesit dhe mbështetjen e disa sektorëve që kanë potencialet më të mëdha për rritjen e eksporteve si bujqësia apo dhe industria e përpunimit.    

Top Channel