Rezoluta për integrimin dhe interpelanca

27/11/2013 00:00

Kuvendi ka votuar pasditen e së mërkurës pro projekt-rezolutës së përgatitur për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Në seancën parlamentare deputetët kanë votuar unanimisht me 105 vota në favor të procesit të integrimit të vendit në BE.

Para votimit kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim ku shprehu gatishmërinë e tij për hapjen e një kapitulli të ri në jetën parlamentare të Shqipërisë.

“Shqipëria është një vend i aftë që kapitullin e Parlamentit jofunksional ta konsiderojë të mbyllur dhe të shkruajë një kapitull të ri. Për këtë kemi marrë vlerësime pozitive nga partnerë dhe miq që deri dje e shihnin Parlamentin një nga arsyet për të mos e afruar Shqipërinë me Evropën. Ky është Parlamenti i respektit ndaj tjetrit”, deklaroi Rama.

Duke komentuar takimet e tij të fundit me zyrtarët ndërkombëtarë, Rama nënvizoi se qeveria e re ka një mbështetje të plotë nga faktori evropian për realizimin e angazhimeve të mara.

“Mbi Shqipërinë rëndon ende shumë një bilanc angazhimesh të pambajtura e zhgënjimesh, që u lë vend partnerëve për të mos qenë 100 për 100 të bindur se Shqipëria është gati. Por ju siguroj se kemi gjetur më shumë se mbështetjen e plotë për të inkurajuar qeverinë e re që të vazhdojë drejtimin që ka përcaktuar. Kemi siguruar mbështetjen që të hapim një kapitull të ri në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe kundër rrënimit ekonomik”, tha Rama.

Duke vlerësuar kontributin e kryetares së komisionit të integrimit, kryeministri ka theksuar se mazhoranca mbetet e angazhuar për gjithëpërfshirje politike.

“Qëllimi ynë është që deri në hapjen e negociatave të adresojmë siç duhet 5 prioritetet kyçe të vendosura nga BE. Opozita do të çlirohet nga të gjitha makthet e së kaluarës, kur ajo u asgjesua nga pozicioni i një faktori jetik”, tha Rama.

Ai u shpreh se qeveria e tij është e gatshme të përfshijmë edhe shoqërinë civile në procesin e integrimit dhe që ngërçin e së kaluarës ta zgjidhë bashkë me opozitën përmes rezultateve të reja.

“Kalimi nga angazhimi në letër në angazhimin real do të tregojë se ne shqiptarët jemi më të aftë sesa vetëm të miratojmë ligje në letër dhe t’i hedhim hi syve qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë”, deklaroi Rama.

“Mos prisni që mazhoranca të kthehet në një fabrikë miratimi ligjesh. Nga ne prisni që të rrisim në nivel evropian shkallën e zbatueshmërisë së ligjit. Kemi një paketë nismash që do të na ndihmojë të arrijmë rezultate konkrete për të bindur edhe vendet skeptike të BE”, vijoi kreu i ekzekutivit.

Më tej Rama bëri një pasqyrim të luftës së deritanishme që kabineti i tij ka nisur kundër krimit të organizuar, duke e vënë theksin tek rritja e evidentimit të veprave penale.

“Ne po luftojmë seriozisht krimin e organizuar. Është rritur konstatimi i veprave penale dhe trafiqeve. Disa të arrestuar kanë filluar të thonë gjëra interesante, ndërkohë që disa të kërkuar nga drejtësitë e huaja janë lënë në harresë”, tha Rama.

Në fund, kryeministri rikonfirmoi se do të anulohen të gjitha konçesionet korruptive, që kanë bërë që lekët të mos përfundojnë në xhepat e shqiptarëve.

Emërimet në Policinë e Shtetit
Ristani: Keni shkelur ligjin. Rama: Emërimi i Didit brenda kritereve

Interpelanca e kërkuar nga PD për emërimet në Policinë e Shtetit përfundoi në shkëmbim batutash mes kryeministrit Rama dhe relatorit demokrat Arben Ristani, në këtë përballje të parë në Kuvend mes dy protagonistëve të zgjedhjeve të 2011-s për Bashkinë Tiranë, ku i pari ishte kandidat dhe i dyti kryetar KQZ-je.

Ky fakt nuk u la jashtë në shkëmbimin e replikave mes tyre, që nisi kur deputeti i PD-së cilësoi si antiligjor emërimin e Artan Didit në krye të Policisë së Shtetit.

“Në këto kushte kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të ligjit dhe është kjo arsyeja që ne kërkojmë sqarime nga kryeministri, se cilat janë motivet që ka bërë një shkelje të tillë të ligjit”, tha Arben Ristani.

“E thënë edhe nga parafolësi, del edhe më në pah se një ligj i qartë nuk mjafton, por duhet edhe qartësi në leximin e ligjit”, replikoi Edi Rama.

Deputeti demokrat deklaroi se situata e rendit është përkeqësuar, pasi janë emëruar njerëz jo profesionistë në krye të Policisë së Shtetit, ndërsa kryeministri e cilësoi gjendjen, me të cilën Ristani foli në podium, si jo të duhurën për opozitën.

“Keni zëvendësuar me farefis, apo bashkëfshatarë, kryesisht nga Tepelena e Kurveleshi”, tha sërish Ristani, të cilit Rama iu përgjigj:

“Më çon një tepelenas nga Saranda: Po me tepelenasit çfarë ka ky? Apo se hapnim lokalin në pikë të mëngjesit, i jepnim pilaf e raki këtij në fushatë dhe na thoshte lekët i merrni pas fitores, e iku për të mos u dukur më”.

“Për të ardhur te arratisja spektakolare e 7 të dënuarve nga burgu i Drenovës… ke 3 të tjerë që mungojnë, pasi kapën mushkat, por sipas një shprehje nga zona që janë këta: kokë latë e kokë morët. Ikën 3 njerëz e morën 3 mushka”, vijoi Ristani.

“Është kapur dhe një tjetër, dhe do kapen edhe të fundit, e para. E dyta, nuk keni pse të merrni nëpër gojë mushkat”, ndërhyri Ilir Meta.

“Mirë bëtë dhe shumë mirë bëni që t’i kapni”, replikoi Ristani.

“Opozita nuk është kjo, është shumë më mirë se kaq. Por, siç thonë ato plakat gjirokastrite, ka edhe më keq, por ka edhe keq e mos më keq. Kjo që pamë ishte keq e mos më keq”, u përgjigj Rama.

“Ajo që dëgjoj përditë, më provon që të kesh kokën e madhe nuk do të thotë të kesh mendtë e shumta. Lidhur me problemin që po diskutonim, besoj se doli qartë se ligji është shkelur në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme”, u shpreh Ristani.

“Kjo është e sigurt, por kush e ka kokën në vendin e gabuar është edhe më e sigurt që drejtohet jo nga mendja, por nga një vend i gabuar. Tani del qartë e më qartë, se pse të zgjodhën për të futur hundët te kutitë e gabuara ty. Ty të bie të flasësh për çdo punë të gabuar”, përfundoi Rama.

Top Channel