Permes një mocioni me debat kërkuar nga opozita, mbi çështjet e
integrimit evropian në kuvëndin e Shqipërisë ministri i Punëve të
Jashtme Ditmir Bushati ka raportuar për zhvillimet e fundit që lidhen me
integrimin, kur kanë mbetur edhe pak javë nga mbledhja e Këshillit të
Ministrave të BE-së, ku do të vendosin për statusin e vendit kandidat.

Fillimisht në emër të grupit parlamentar demokrat kryetari i grupit Edi Paloka bëri një deklaratë.

“Grupi i PD-së angazhohet për të mbështetur vazhdimin e proceseve integruese me synimin e anëtarësimit sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE, si aspiratë e padiskutueshme e mbi 87 për qind të qytetarëve shqiptarë. Ne kemi besimin e plotë se janë të gjitha mundësitë për arritjen e objektivave tonë kombëtare integruese”, u shpreh Paloka.

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati shpjegoi hapat që ka ndërmarrë dipllomacia shqiptare në prezantimin tek kancelaritë dipllomatike europiane të  progresit të arritur deri tani nga Shqipëria.

“Pa frikë mund të thuhet se jemi në një momentet më të veçanta të procesit të integrimit europian, që nuk është gjë tjetër, vecse një rrugëtim drejt vetvetes. Sot më shumë se kurrë duhet të demonstrojmë inteligjencë gjeopolitike dhe një vizion strategjik për të ardhmen, larg retorikes shterpë me të ashtuquajturën albanofobi që errësoi perspektivën tonë europiane. Le të mos ngatërrojmë qëndrimet tona politike me mbështetjen konkrete që duhet të demonstrojmë në vijimësi për procesin e integrimit europian. Prandaj le të jetë dhjetori 2013, muaji i promovimit të Shqipërisë, i promovimit të unitetit të klasës politike shqiptare për të jetësuar një aspiratë të kahershme mbarëkombëtare”, tha Bushati.

Grupi parlamentar demokrat ka paraqitur një rezolutë për çështjet e integrimit, e cila do të votohet në fund të seancës plenare.

Top Channel