Dita e falënderimeve dhe Pavarësia

27/11/2013 00:00

Me rastin e Ditës së Falënderimeve, një traditë e njohur në Shtetet e Bashkuara, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, organizoi një mbrëmje, ku të ftuar ishin ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Alexander Arvizu me stafin e ambasadës, si dhe fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”.

“Më së shumti, kjo ditë – tha zoti Nishani, – është festë e atyre që ndiejnë më tepër, që kanë një zemër të butë”.

“Mysafirët e mi të nderuar, ju qytetarë amerikanë që ndodheni këtu. Ju banorë të Shtëpisë së Fëmijëve të Tiranës, dhe ju të tjerët. Le të kujtojmë bashkarisht, në këtë festë të paqes njerëzore, veç të tjerash, kryesoren, atë prej së cilës rrjedh gjithçka dhe duhet ta kemi gjithmonë parasysh: Lidhjen e thellë dhe marrëdhënien e gjithanshme të gjithçkaje me krijuesin, Zotin. Të kujtojmë gjithashtu, se sa kohë në botë ka njerëz fatkeqë, të pamundur, të dobët, të harruar, të braktisur, të uritur, festa si kjo nuk janë të tepërta. Prandaj, edhe pse Dita e Falënderimeve zgjat veç një ditë, e mira do të ishte që detyrimet morale, që rrjedhin nga kjo festë, t’i aplikojmë çdo ditë”, u shpreh presidenti Bujar Nishani.

Ambasadori Arvizu falënderoi presidentin Nishani për ftesën e një numri të madh amerikanësh në shtëpinë e tij dhe i lexoi atij mesazhin e presidentit amerikan, Barack Obama, për festën e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor.

“Si partnerë krenarë dhe mik, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan juve dhe popullit shqiptar në ditën e festimit të Pavarësisë, më 28 nëntor. SHBA-të dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë dhe të veçantë, të bazuar në interesa të përbashkëta. Unë e vlerësoj përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë globale, përfshirë edhe përpjekjet tona të vazhdueshme të përbashkëta me Afganistanin, si dhe rolin e Shqipërisë në ruajtjen e qëndrueshmërisë në Ballkan. Pres që ta vazhdojmë e ta fuqizojmë marrëdhënien tonë në të ardhmen dhe të zotohemi për mbështetjen tonë të plotë, teksa vendi juaj përparon në rrugëtimin drejt integrimit të plotë në bashkësinë euro-atlantike. Pranoni, ju lutem, urimet më të mira të popullit amerikan, në përvjetorin e Pavarësisë së vendit tuaj”, tha ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Alexander A. Arvizu.

28 nëntori, Kerry uron Shqipërinë
Sekretari i Shtetit: SHBA, një partner i palëkundshëm dhe aleat i Shqipërisë

Sekretari i Shtetit, John Kerry uroi Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë
në emër të presidentit Barack Obama dhe të popullit amerikan dhe tha se
vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm për zhvillimin me sukses të
zgjedhjeve parlamentare.

“Shqipëria është një forcë qendrueshmërie në Ballkanin Perëndimor dhe Shtetet e Bashkuara janë sidomos mirënjohës për kontributet e saj në Forcën Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Ndihmës në Afganistan, si dhe për gatishmërinë për të sistemuar në mënyrë të përhershme ish-banorët e kampit Ashraf”, thuhet në deklaratën e sekretarit të Shtetit.

Kalimi paqësor i pushtetit dhe përparimet në fushën e legjislacionit këtë vit, vijon deklarata, nënvizojnë kredencialet demokratike të Shqipërisë.

“SHBA – thotë sekretari Kerry – mbështesin popullin e Shqipërisë në përpjekjet për konsolidimin e sundimit të ligjit dhe reformave ekonomike. Ato mirëpresin rekomandimin e Komisionit Evropian që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian. Ndërkohë që ju festoni me familjet dhe miqtë, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ju si një partner i palëkundshëm dhe aleat. Ne shohim përpara drejt një të ardhmeje të miqësisë dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm”.

Top Channel