Buxheti faktik, akuza të forta Cani-Bode

26/11/2013 00:00

Ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe paraardhësi i tij demokrat Ridvan
Bode kanë shkëmbyer akuza të forta në Parlament, gjatë diskutimeve për
buxhetin faktik të vitit 2012.

“Viti 2012 e futi ekonominë e vendit ashtu si viti 1996 e më pas 1997, në pritën e një ekonomie piramidale, me po të njëjtin çift, 2B, por pa Suden”, tha Cani.

“Vitin 2012 ju duhet ta lexonit me kujdes, sepse është viti me rritjen më të ulët ekonomike në historinë normale të ekonomisë shqiptare. Ajo që më vjen keq është dhimbja që ndjej se si në një sitatë të vështirë, vendi ka një njeri kaq diletant, kaq të papërgjegjshëm sa parafolësi”, tha Bode.

Zoti Cani tha se ish-Qeveria demokrate manipuloi shifrat e borxhit publik, duke e çuar ekonominë e vendit në buzë të greminës.

“Deputetët dhe publiku kujtojnë këmbënguljen e ish-ministrit që nuk kishim borxh të fshehur. Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe ‘Deloitte’ vërtetojnë se në vitin 2012 borxhi i fshehur vetëm ndaj biznesit ka qenë gjysmë miliardë dollarë”, tha Cani.

“Nëse ju thoni që ne kemi mashtruar me borxhin, përse po votoni sot atë që ne kemi thënë, që borxhi i Shqipërisë, deficiti i Shqipërisë në vitin 2012 është më i ulëti historik i arritjeve”, tha Bode.

Kreu i Financave deklaroi në Kuvend se fshehja e borxhit u perdor nga paraardhesi i tij edhe per qellime korruptive.

“Vetëm një investitor, kuptohet mik i ministrit, ka marrë brenda ditës me urdhër të tij, pagesa për 220 milionë lekë apo 2.2 milionë dollarë, kuptohet pa qenë fare prioritar. Në 8 muaj në 2013 ka paguar jashtë rradhe dhe me shkelje, jo pak, por 3.7 miliardë lekë ose 35 milionë dollarë”, tha Cani.

“Nuk ke për të gjetur asnjë rast që një ish-ministër i Financave të ketë favorizuar për arsye korruptive. Po, për investimet prioritare të Qeverisë ka edhe pagesa prioritare. Nuk kam dëshirë më të bëj reblikë me ju. Nëqoftëse ju flisni për paligjshmëri ja ku më keni, Prokuroria, Gjykatat janë hapur”, tha Bode.

Ne vitin 2012 ish-Qeveria e demokrateve shkeli ligjin e borxhit duke e rritur ate mbi 60 per qind për shkak të rënies dramatike të të ardhurave dhe shpenzimeve të larta përfshirë garancitë për kreditë e KESH-it. 

Top Channel