Rama takon Presidentin e Austrisë

25/11/2013 00:00

Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin Arben Ahmetaj ndodhen në
Vjenë për një vizitë zyrtare njëditore, ku janë takuar me Presidentin e
Austrisë Heinz Fischer.

Siç njofton Departamenti i Komunikimit në kryeministri, gjatë këtij takimi në Vjenë, Kryeministri Rama e falenderoi Presidentin Fischer për ndihmën e vazhdueshme që Austria i ka dhënë Shqipërisë. Më tej gjatë bashkëbisedimit, Kryeministri Rama e njohu Presidentin Austriak me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Një tjetër moment i rëndësishëm i bisedës ishte edhe integrimi evropian i Shqipërisë, proces për të cilin Presidenti Fischer ofroi mbështetjen e Austrisë. Presidenti Fischer përgëzoi Kryeministrin Rama për punën e deritanishme dhe njoftoi vizitën e tij në Tiranë brenda vitit 2014. Ditën e sotme, Kryeministri Rama do të mbajë një fjalim edhe në Forumin Ekonomik të Vjenës.

Top Channel