Shqipëri-Itali, marrëveshje postare

22/11/2013 00:00

Kreu i Postës Shqiptare, Ardit Çela ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me ambasadorin italian, Massimo Gaiani, për legalizimin e dokumentave të qytetarëve shqiparë dhe dorëzimin e pasaportave me vizë në nëntë qytete.

Sipas kësaj marrëveshjeje, nga data 1 dhjetor qytetarët do të paguajnë një tarifë prej 350 lekë në Tiranë dhe 500 lekë për qyetarët në rrethe për të përfituar nga ky shërbim i ri, i cili do të konsistojë në kryerjen e plotë të shërbimit postar ekspres të brendshëm dhe shërbimit financiar në qytete si Tirana, Durrësi, Elbasani, Pogradeci, Korça, Lezha, Shkodra, Kukësi dhe Peshkopia.

Drejtori i Postës Shqiptare, Ardit Çela tha se, “sot është nënshkruar një marrëveshje e postës me ambasadën Italiane, e cila ka të bëjë pikërisht me përfitimin e disa shërbimeve konsullore që do t’u lejojnë qytetarëve shqiptarë të evitojnë prezencën e tyre fizike në ambasadën italiane”.

Ndërkaq, ambasadori italian Massimo Gaiani shtoi se avantazhet nga këto shërbime do të jenë për qytetarët shqiptarë, të cilët do të mund shkojnë në zyrat postare të qyteteve të tyre në qendër dhe në veri e jug të Shqipërisë, ku do të mund t’i kryejnë këto shërbime edhe prej andej.

Top Channel