“Top-Story”: Lufta kundër korrupsionit

21/11/2013 00:00

Në vitin 2005, Partia Demokratike erdhi në pushtet me kartën e korrupsionit dhe njerëzit e votuan gjerësisht pasi njerëzit përceptuan se gjendja e korrupsionit ishte e paduruar.

Partia Socialiste, tetë vjet më pas erdhi në pushtet duke përdorur përsëri kartën e korrupsionit dhe luftës kundër tij.

Nga ana e tij, kryeministri Rama, disa herë ka thënë që nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por e kundërta, ndaj mazhoranca ka nisur një nismë të re, të provuar më parë edhe me përvojën e suksesshme të ligjit antimafia, duke vendosur që ta trajtojë korrupsionin si një vepër të rëndë që do të hetohet e gjykohet nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda.

A është kjo zgjidhja? Deri në ç’pikë realizon ky ligj qëllimin e tij? Sa shkel të drejtat e njeriut dhe a mund të na pranojë Europa me këtë paketë ligjore anti-korrupsion?

Për të gjitha këto, Sokol Balla, në emisionin e tij të përjavshëm politik, “Top-Story”, ballafaqoi në studio dy ministrat, atë të Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi dhe atë të Drejtësisë, Nasip Naço, me dy ligjvënës të opozitës, kryetaren e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu e ish-drejtuesin e disa nismave anti-korrupsion të qeverive të djathta, deputetin Oerd Bylykbashi.

“Për çështjet e korrupsionit është folur gjithmonë dhe çdo parti e ka në program, por qeveria e re ka një angazhim shumë më konkret në këtë çështje, një angazhim që lidhet kryesisht me axhendën europiane të Shqipërisë”, nisi debatin zoti Çuçi.

“Korrupsioni është kthyer mbase në pengesën kryesore për avancimin e Shqipërisë në marrjen e statusit kandidat fillimisht e më të anëtarësisë së plotë. Për këtë arsye, një nga thekset kryesore të programit qeverisës të qeverisë aktuale ka qenë pikërisht fokusi në politikat antikorrupsion. Gjëja e parë që ka bërë qeveria është adaptimi i të gjitha rekomandimeve të progresraportit të fundit të Brukselit në një plan masash për t’i paraprirë çdo lloj problemi që ngre progresraporti për këtë çështje. Rritja e ndëshkueshmërisë dhe organizimi i shtetit për parandalimin e këtyre aktiviteteve janë dy mënyrat për të luftuar fenomenin”, vazhdoi ministri i Pushtetit Vendor.

”Ndonëse kanë kaluar vetëm tetë javë, që janë shumë pak për të pasur rezultate konkrete, ato janë mbresëlënse, qoftë në pjesën e ndëshkimit ndaj të gjithë atyre që ballafaqohen me akte korruptive, qoftë përsa i përket pjesës së parandalimit dhe modernizimit të shtetit përsa i takon pjesës së përsosjes së sistemit për të parandaluar aktet korruptive. Nga ana tjetër, në fushën e korrupsionit kemi marrë një “tokë të djegur”, siç tregojnë edhe të dhënat që paraqitën gjatë vitit të shkuart një thellim të korrupsionit dhe rënien e Shqipërisë në vendin e 113 në botë”.

Në marrjen e fjalës, zoti Naço tentoi të shpjegonte arsyet që sollën një rritje të nivelit të korrupsionit së fundmi. “Zakonisht në momentet elektorale, qoftë për pushtetin  vendor dhe qëndror bie vullneti i qeverisë për të luftuar krimin e korrupsionin, pasi përqendrimi është tek fushata dhe nuk kemi një administratë të konsoliduar, pavarësisht ç’thotë politika, ndaj edhe përceptimi thotë që 80% mendojnë se sistemi është i korruptuar”.

“Detyra ime është një ndër më të vështirat për shkak të këtij përceptimi. Nëse qytetari shkon tek mjeku apo prokurori dhe i kërkojnë para, qytatarët do i kthejnë sytë nga qeveria dhe nga ministri i Drejtësisë. Pikërisht, kur më besuan këtë detyrë kërkova të bëj disa reforma të shpejta afatshkurta për të kapur kohën e humbur. Sigurisht që qytetarët duhet të ndërgjegjësohen, duhet të parandalohet krimi e korrupsioni, të dekurajohen të korruptuarit dhe në fund duhet të zbatohet ligji”, shpjegoi Naço.

“Ne kërkuam që në një kohë të shkurtër të bëjmë disa ndryshime që konsistojnë në ndryshim dhe përceptim të fenomenit të përhapur e në paketën e propozuar kemi kërkuar ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, me autorizimet përkatëse për hetime, kontrolle dhe arrestimet paraprake. Kemi propozuar edhe ndryshime të tjera edhe për shkak të perceptimit, duke kërkuar që të gjitha rastet të gjykohen nga Gjykata e Prokuroria e Krimeve të Rënda, që ka treguar një efektivitet e integritet më të lartë se gjykatat e tjera. Sot, korrupsioni ka risk të vogël e fitim të madh, ne duam që kjo të ndryshojë e risku të jetë i madh e fitimi zero”, theksoi ministri i Drejtësisë.

Një qëndrim tërësisht të ndryshëm shfaqi ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, mbi cilësinë e reformave që po zbaton qeveria aktuale dhe gjendjen në të cilin e la situatën e korrupsionti qeveria Berisha. “Shpresoj  që reformat të bëhen me të vërtetë, por ju kujtoj që mazhoranca e djeshme nuk e votoi ligjin e antimafias edhe kur duhej për liberalizimin e vizave. A është një “tokë e djegur”? Jam e predispozuar të mirëkuptoj shqetësmin e çdo qytetari dhe përditë dëgjojnë raste korruptive, sikurse flitet për dënime të munguara, ndaj cilët janë ata që duhet të shkrojnë para drejtësisë?. Mazhoranca e djeshme, pas përpjekjeve titanike për heqjen e imunitetit, që nuk u votua pesë herë rresht nga mazhoranca e sotme, pati qëllimin e vetëm për të bërë të mundur atë që mazhoranca kërkon të bëjë sot me shtjellimin e mëtejshëm në Kodin Penal për veprën korruptive”.

“Nuk ndaj të njëjtin mendim me zotin Çuçi mbi “tokën e djegur”, shprehur në dokumentat europiane. Ky nuk është përceptimi i asnjë vendi anëtar e duke qenë se ky është një proces ku unë dalloj qartë nga një dokument zyrtar nga një OJQ, që kryen një studim me faktorë lokalë, nuk mund të themi që reformat e ndërmarra e lanë Shqipërinë në një “tokë të djegur”. Korrupsioni luftohet në dy mënyra, me heqjen e mundësisë që pushtetarët të kenë mundësinë të fusin dorën në xhepin e qytetarit… Lufta kundër 2005-s solli reformat më të qënësishme në Shqipëri, biznesit i duheshin 45 ditë për regjistrimin e tij, sot për 24 orë mund të regjistrohet. Është sistemi i taksimit online, doganës online, maturës shtetërore që janë me një sistem tërësisht elektornik. Mos harroni reformat e ndërmarra në një institucion më problematik, ai i Zyrës së Regjistrimit Pasurive dhe Hipotetakve, me një sistem të ankimimit të qytetarëve, sikurse sistemi i regjistrimit audio nëpër gjykata”.

“Beteja dhe sfida më e madhe e çdo qeverie sot është lufta ndaj korrupsionit, e do të mbërrij këtu tek plani i veprimit. Me të vërtetë BE ka kërkar një “track-record”, një gjurmëlënës të masave antikorruptive në planin e veprimit për marrjen e statusit që Komisioni rekomandoi për herë të dytë sivjet. Gjërat kryesore në këtë kuadër janë masat realisht të matshme në luftën kundër korrupsionit, masat që kanë të bëjnë me hetimet proaktive që nisin, përfundojnë nga njësi të përbashkëta. Gjendja nuk është “tokë e djegur”, të paktën për tremujorin e parë të 2013-s, kur ka pasur 28% hetime proaktive më shumë. Plani që ka hartuar qeveria sot duhet t’i japë një përgjigje këtij shqetësimi madhor. Do të them dy fjalë për këtë plan veprimi që kam dëgjuar shumë ta përdorë qeveria. Nëse marrim në dorë një dokument që deri në dhjetor duhet të bindë vendet anëtare, atëherë këtu dua të shoh në fund të dhjetorit 1,2, 3 arrestime apo masa të matshme. Në planin e veprimit, në 21 masa të paraqitura, 1/5 janë vizita studimore në vendet anëtare të BE-së, dmth ekskursione të administratës për të kuptuar si luftohet kurrupsioni në vendet e tjera”, vazhdoi shtjellimin e saj Bregu.

Sipas ish-ministres së Integrimit: “Nuk ka asnjë mënyrë për të parë se sa efekt realisht do të sjellë kjo. Nuk ka asnjë masë që të ngrejë nivelin e korrupsionit në nivel qeveritar apo më të lartë. Koordinatori i luftës kundër-korrupsion dje ishte vetë kryeministri, sot zoti Çuçi, që me të gjithë respektin për të, fokusi e autoriteti i një kryeministri është detyrimisht më i madh. Ky plan i mrekullueshëm s’ka asnjë masë për ekzekutimin e mbledhjes së pasurive që konfiskohen. Përtej të gjithave, bie dakord që vullneti politik është përcaktuesi kryesor, por ç’vullnet ka kjo qeveria kur vodhi votat në zgjedhjet lokake në Korçë, kur në ditën më të mirë të saj vjedh votat, në një palë zgjedhjesh kur si ata edhe ne e dinim shumë mirë që socialistët do të fitonin”.

“Sigurisht që në Shqipëri ka korrupsion dhe do të vazhdojë të ketë, ndaj kjo do të jetë një luftë e vazhdueshme. Qeveria Berisha bëri një luftë konstante dhe mesa duket, qeveria aktuale propozon vetëm vazhdimësinë e asaj që bëri apo propozoi të bënte qeveria Berisha në tetë vjet”, mori fjalën zoti Bylykbashi. “Zoti Çuçi bëri një parashtrim të shkurtër të asaj që qeveria planifikon të bëjë në këtë sektor dhe përmendi disa objektiva e plane veprimi që ka qeveria Rama. E thashë që është një vazhdimësi e asaj që kemi bërë ne. Në 2005-n, Berisha ngriti “task-force” anti-korrupsion në nivelin më të lartë politik, pra ministrat më të rëndësshëm në atë kohë u bënë pjesë. Kjo “task-force” bëri që në 2006-n e 2010-n të hartohej strategjia anti-korrupsion që është zbatuar e tëra. Nuk duhet një plan i ri veprimi, por një stratetgji e re. “Task-Force” përcaktoi ngritjen e një grupi ndërministror. Ishte kjo “task-force” që ndiqte në mënyrë të vazhdueshme zbatimin e strategjisë, u ngrit një strukturë e tërë midis ministrive dhe një sekretariati. Sot, qeveria po bën shumë më pak. Ne miratuam çdo ligj të nevojshëm për ta luftuar në aspekt penal e në aspekte të tjera. Aktualisht, për fat të keq, siç e përmendi Bregu, kemi një ulje të nivelit të stekës anti-korrupsion në nivelin politik”, deklaroi Bylykbashi.

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço këmbënguli në vendosmërinë e mazhorancës për të luftuar korrupsionin. Ai shprehu besimin se me reformat e duhura do të goditet ky fenomen, ndërsa dalloi edhe se ku ndryshon strategjia e re anti-korrupsion nga ajo e qeverisë së djathtë. “Ka dy strategji korrupsioni, e djeshmja e përqendruar tek Kryeministri dhe e sotmja ku cdo ministri ka një vijë të gjelbërt të caktuar veprimi. Thashë edhe njëherë që mazhoranca do të bëjë të gjitha reformat e nevojshme për të luftuar korrupsionin”, tha ai.

Edhe Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi tha se strategjia e re është gjithëpërfshirëse dhe se në të do të kërkohet gjithashtu bashkëpunimi dhe përfshirja e institucioneve të pavarura, që deri më tani, sipas tij, nuk janë përfshirë.

Lidhur me rritjen e perceptimit të qytetarëve shqiptarë të korrupsionit, deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu tha se ky perceptim është rritur për shkak të akuzave politike. “Po të dëgjosh akuza pa fakte nga politika, perceptimi për korrupsionin rritet. Kjo ka ndodhur me opozitën e djeshme. Problemi është sa seriozë do të jemi në luftën kundër korrupsinit dhe në rast se ne e kapim nga bishti dhe jo nga koka, dhe në rast se qytetarit do t’i themi do të më votosh se do të të jap kaq lekë, ky është thelbi i madh i problemit. Cështje e blerjes së votës nuk është rastesore. Rasti i katër studentëve që shkojnë të marrin lekët për votën, është një rrjet i blerjes së votës, që i vë vulën këtij vendi, ku korrupsioni vendos votën”, tha ajo.

Ministri Çuçi shtoi se jetike në luftën kundër korrupsionit është modernizimi i administratës publike për të reduktuar atë që ai e quajti “mentaliteti i bakshishit”.

Edhe deputeti tjetër demokrat në panel, Oerd Bylykbashi tha se blerja e votës është maja e korrupsionit dhe që nga aty duhet të nisë lufta kundër tij. Ai tha se duhen masa shumë të mëdha që Shqipëria të ecë sa më shpejt drejt integrimit europian.

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço tha se ligji i ri kundër korrupsionit nuk përjashton asnjë qytetar apo zyrtarë, me ndryshimin e vetëm se për zyrtarët e lartë procedurat e hetimit ndryshojnë. “Ligji parashikon ndëshkime për të gjithë zyrtarët. Me ndryshimet janë kufizuar disa kompetenca për zyrtarët e lartë, ndryshon vetëm procedura e tyre. Nuk kemi rritur masën e dënimit për korrupsionin, por vetëm ngrirjen e pasurisë, ndaj korrupsioni krahasohet njëlloj me organizatat kriminale.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore Bledi Çuçi shtoi: “Ajo që shohim ne për këtë paketë, është që do ta nisim nga koka dhe nga bishti në mënyrë frontale. Kjo është për të treguar vullnetin e qeverisë për të nisur luftën nga koka. Paketa që një qeveri e merr në pozicione komode për të rritur penalitetet edhe ndaj vetes së saj për cështje korruptive. Duket qartë një vullnet i qeverisë për të luftuar korrupsionin. Korrupsioni i vogël po gërryen përditë jetën e shqiptarëve dhe ne kemi marrë përsipër të modernizojmë administratën publike, shërbimet, që të shmangim në maksimum këto pagesa të vogla”.

Zoti Çuçi ndal edhe tek Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë: “Është një nga institucionet më të rëndësishme sa i përket luftës kundër korrupsionit. Momentalisht performanca e këtij inspektoriati lë për të dëshiruar. Duhet një analizë dhe ndoshta duhet të shkojmë në modele të tjera sa i përket natyrës së këtyre inspektoriateve. Rajoni ka agjenci të pavarura anti-korrupsion, që brenda tyre përfshijnë edhe këtë inspektoriat. Ne do të shohim të gjitha modelet dhe do të bëjmë një model që mund t’i shërbejë më së miri Shqipërisë”, tha ai.

Edhe Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ndau të njëjtin vlerësim për ILDKP: “Puna e inspektoriatit lë për të dëshiruar. Mjafton që inspektoriati të bëjë disa inspektime nëpërmjet sistemit TIMS për të gjetur gjyqtarët që ikin 30 herë në vit jashtë vendit me pushime, dhe më e forta është se japin edhe vendime gjatë kohës që janë me pushime, mjafton kjo për të gjetur gjyqtarët e korruptuar. Ndaj them që duhet vullnet politik dhe vullnetin politik nuk e  bën një njeri i vetëm”, tha ai.

Deputetja e PD-së, Majlinda Bregu ndau shqetësimin e opozitës për atë që ajo e quajti “revansh të mazhorancës kundër shtetit ligjor”:

“Ne kemi një shqetësim shumë të madh të cilin po e dëgjoni të artikuluar cdo ditë, edhe nga media, për revansihn e qeverisë në shkeljen e Kushtetutës. Një nga institucionet e pavarura, është ILDKP që është institucioni kryesor që kontrollon pasuritë e qeveritarëve. Vetëm gjatë 2013 ILDKP ka cuar në prokurori 6 raste që kanë dalë nga 122 raste të hetuara. Së fundmi nuk kisha dëgjuar ndonjëherë që të ngrihej një kontroll, të ngrihen deputetët dhe të bëjnë një kontroll në një institucion të pavarur, një kontroll për të parë se si kanë bërë procedurat. Ne po rrezikojmë nga kjo qeveri që nuk di të respektojë Kushtetutën dhe ligjet dhe ndaj sot janë 2800 punonjës me statusin e nëpunësit civil që janë larguar nga puna”, tha Bregu.

Edhe Bylykbashi u ndal tek kjo pjesë. Sipas tij, vendimet e qeverisë që anulojnë ligjet janë skandaloze.

“Paligjshmëria në 2 muaj është e panumërt dhe jo duke nxjerrë ligje që shkelin Kushtetutën, por më keq akoma, me vendime qeverie që anulojnë ligjet. Qeveria propozon dy gjëra që nuk janë të reja dhe që i kemi propozuar ne. Në 2009 kemi kërkuar që korrupsioni të përfshihej në paketën e anti-trafikut, por me këmbënguljen e ndërkombëtarëve kjo pjesë u hoq me argumentimin se mund të shkelte disa të drejta të individëve”, tha zoti Bylykbashi.

EMISIONI “TOP STORY” I KESAJ TE ENJTE ISHTE REGJISTRUAR PARA VDEKJES SE DEPUTETIT SOKOL OLLDASHI

Top Channel