Shqipëria mban zi për Olldashin

21/11/2013 00:00

Nëpërmjet një vendimi të posaçëm Qeveria shqiptare shpalli ditë zie
kombëtare, ditën e enjte, datë 21.11.2013, në nderim të të ndjerit,
Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar. Në të gjitha
institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar qëndron në gjysmë
shtizë.

Presidenti Republikës Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi ngushëllimi drejtuar familjes të deputetit të ndjerë Sokol Olldashi thotë: “Në këto çaste të rënda, kur përjetojmë me hidhërim të thellë humbjen e papritur të personalitetit të jetës shqiptare, deputetit Sokol Olldashi, shpreh ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta familjes së tij. Do ta kujtojmë Sokol Olldashin shprehet kreu i shtetit  për kontributin e tij të gjithanshëm në jetën politike e publike në vend, për përpjekjen e tij të palodhur për demokracinë. Do e sjellim ndër mend Sokol Olldashin si një zë të fortë, këmbëngulës në kryerjen e detyrave që i qenë ngarkuar që në fillimet e karrierës së tij si gazetar dhe më vonë si politikan”.

“Bashkoj dhe unë dhembjen me kolegët e tij në Partinë Demokratike dhe gjithë klasën politike, – shkruan nëpërmjet një editoriali ngushëllues kryetari parlamentit Ilir Meta, – e cila tek Sokoli gjeti përfaqësuesin e një brezi politikëbërës që lindi në dhjetorin e stuhishëm të vitit 90’. E një brezi plot vrull, me shumë dëshira e shpresa për ndryshim, që duke ndryshuar vendin, ndryshoi dhe vetveten! Me ikjen e tij, Sokoli na jep edhe një shans tjetër për të menduar qetësisht mungesën tonë të qetësisë, shqetësimin tonë të vazhdueshëm për të përkohshmen që na bën të harrojmë të pandryshueshmen: jemi qenie njerëzore përpara se të ndahemi për politikë“, thekson Ilir Meta.

Nuk kanë munguar ngushëllimet edhe nga kreu minisonit të BE-së në Tiranë Ettore Sequi.

“Do doja t’i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera, në emrin tim dhe në emër të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë familjes së deputetit Sokol Olldashi pas humbjes së tij tragjike natën që shkoi. Mendimet e kolegëve tanë, – thotë Sequi, – janë me familjen e tij, miqtë e tij dhe kolegët e tij parlamentarë në këtë moment të trishtuar.”

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu shprehu hidhërimin për ndarjen nga jeta të deputetit Olldashi, po shtoi se ndihet me fat që ka patur mundësinë të takohet dhe të njihet me një njeri si ai.

“Olldashin do ta kujtojmë gjithmonë si njeriun që e donte shumë vendin e tij”, tha Arvizu.

Kosovë, mesazhe ngushëllimi për Olldashin

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën me ngushëllimet për familjen
Olldashi, parlamentin shqiptar, Partinë Demokratike dhe gjithë qytetarët
e Shqipërisë.

Presidentja kosovare Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaci,
kryetari i kuvendit Jakup Krasniqi, kryetari LDK-së Isa Mustafa dhe
liderët e tjerë të partive politike kanë dërguar telegrame ngushllimi
për familjen Olldashi dhe shtetin shqiptar. Njezeri i janë bashkuar
ngushellimeve edhe deputetet e pakicave etnike në Kosovë.
 
Deputetet thanë se kontributi i Olldashit ka qenë i pazëvendësueshëm në
ndërtimin e shtetit shqiptar dhe në proceset që kalon Shqipëria.

Top Channel