Profil /  Kush ishte Sokol Olldashi

21/11/2013 00:00

Sokol Olldashi mund të mos kishte dashur fare një ditë zie për vete dhe ndoshta do të ishte shumë i kënaqur sikur përcjellja e lamtumirës të bëhej vetëm me një batutë të bukur.

Jo sepse nuk donte të nderohej, jo sepse atij nuk i pëlqente të binte ne sy, por sepse donte që në sy të binte si njeri i mençur, arsyeja gjakftohtë e të cilit nuk e linte kurrë në rreshtin e dytë.

Të tilla cilësi, Sokol Olldashi i shfaqi veçanërisht kur nga dera e gazetarisë hyri në politikë dhe u shqua menjëherë si një nga politikanët më të mençur, më energjikë  dhe me batutën brilante për çdo rast.

Për gazetarët, Sokoli ishte politikani i preferuar, një thesar me informacione dhe mjeshtër i përdorimit të tyre. Për gazetarët e brezit të tij ishte një mik me të cilin mund të konsultoheshin dhe me të cilët ai konsultohej për çdo veprim, me të cilët ndante argument të rëndësishëm apo edhe biseda të zakonshme e rutinën e përditshme.

Për të rinjtë demokratë, të cilët i drejtoi në kohë të vështirë opozitare. Sokol Olldashi ishte modeli i kurajos dhe i qytetarisë, dy cilësi që e drejtuan Sokol Olldashin të pranonte me qetësi dhe dinjitet humbjen përballë Edi Ramës në vitin 2007.

Atëherë nuk kishte kaluar shumë kohë kur po me këtë qetësinë e tij emblematike, Sokol Olldashi kishte fituar një nga zonat me delikate zgjedhore, në Shijak dhe me po kaq qetësi, për gati dy vjet, si Minister i Brendshëm drejtoi luftën kundër krimit të organizuar.

Në 6 vitet e  fundit në detyrën e Ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi ka prekur vetë çdo kilometër të çdo rrugë të re të ndërtuar në vend.

Në më pak se një dekadë, Sokol Olldashi mori mbi vete përgjegjësi të mëdha për të përmbushur me një vrull dhe pasion të pazakontë për shumë bashkëmoshatarë të tij, me një ide të qartë për çfarë ishte dhe ku do të shkonte.

Pas humbjes së zgjedhjeve, me qetësi, me logjikë gjakftohtë dhe me guxim politik, Sokol Olldashi u fut në një garë të vështirë për kreun e Partisë Demokratike, një garë, që e ndërtoi me kujdes, por nga e cila e dinte që më përpara se do të humbte më shumë se sa do të fitonte.

Sokol Olldashi ndërtoi me kujdes gjithçka në jetën e tij. Makina ishte e vetmja pakujdesi që Sokoli i lejoi vetes… deri në fund.

Top Channel