Integrimi, raport për korrupsionin

18/11/2013 00:00

Klajda Gjosha, ministre e Integrimit Europian raportoi përpara
Komisionit Parlamentar të Integrimit të gjitha hapat e deritanishme në
koordinimin dhe vënien në jetë të Planit të Veprimit, që buron prej pesë
rekomandimeve të vendosura nga Komisioni Europian.

Një prej tyre eshte lufta ndaj korrupsionit.

“Hartimi i një strategjie të re kundër korruipsionit dhe konsolidimi i strukturave koordinuese, përbëjnë një prioritet të kësaj Qeverie, prandaj edhe ne jemi fokusuar pikërisht tek këto masa. Shumë shpejt do të shqyrtohen dhe vlerësimet e deritanishme të kuadrit antikorrupsion, përfshi vlerësimet e rriskut. Në një hark kohor afatshkurtër do të sigurohen dhe statistika të harmonizuara dhe ‘track record’ aq shumë të kërkuara tashmë edhe nga Komisioni për vepra korruptive në të gjitha nivelet, përfshi këtu edhe procedimet penale dhe rastet e dënuara”, tha Gjosha.

“Uroj shumë që kjo Ministri të vazhdojë të mbetet një Ministri lider në procesin e koordinimit të procesit të integrimit, sikurse uroj që struktura e re e Ministrisë së Integrimit, të jetë tërësisht funksionale. Tashmë keni një sërë detyrimesh për të plotësuar, përsa i përket Planit të Veprimit për luftën korrupsionit, Planin e Veprimit të luftës antikorrupsion, unë shoh një sërë masash, të cilat janë më tepër deklarata, se sa masa konkrete”, tha Majlinda Bregu, kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit.

Deputeti Taulant Balla kërkoi prej ministres Gjosha bërjen e transparencës për qytetarët shqiptarë, pasi sipas tij Kontrolli i Lartë i Shtetit ka hartuar një raport për veprimtarinë e kësaj Ministrie në të shkuarën.

“Në raportin më të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ai i prillit të 2013 ka mjaft gjetje, të cilat duhen adresuar me urgjencë, janë afro 80 milionë lekë që Ministria e Integrimit paguan për ata që janë larguar nga puna deri në prill të vitit 2013. Edhe me një transparencë për publikun të një fondi shumë kolosal prej 400 milionë lekësh për të lidhur kontratë me një kompani të huaj për lobim. Kjo kontratë prej 400 milionë lekësh, e propozuar nga ministrja e Integrimit Majlinda Bregu dhe e miratuar nga Kryeministri Sali Berisha duhet të jetë pjesë e një transparence të gjerë publike, për mënyrën e harxhimit të fondeve të taksapaguesve shqiptarë”, tha Balla.

“Do t’ju kërkoja në vijim të asaj çfarë tha zoti Balla, që të jeni e përkushtuar personalisht me stafin tuaj dhe politikisht, për të mos hedhur helm me punën e Ministrisë së Integrimit dhe as mbi dokumentet e kontrollit, të cilat kanë monitoruar punën e Ministrisë së Integrimit. Ka konkluzion për dëm financiar në Ministrinë e Integrimit. Çfarëdolloj procedure, përfshi edhe procedurat e lobimit dhe kontratat e lidhura të lobimit, të cilat janë tërësisht në përputhje me Ligjin e Prokurorimit Publik, të cilës Balla iu ferferua me “Podestën”, Ministria e Integrimit ka qenë pjesë, por nuk ka derdhur lekë nga buxheti i saj, sepse procedurat janë zhvilluar më pas nga Kryeministria,por nuk ka asnjë shmangie në kontratën me Podestën, as nga dividenti, as nga TVSH-ja, asnjë trajtim diskriminues apo preferues, sikurse ka ndodhur me kontratën që kemi diskutuar para një jave këtu”, tha Bregu.

Top Channel