Gara për kreun e PS-së, vitin e ardhshëm

18/11/2013 00:00

Kryetari i Partisë Socialiste pritet të zgjidhet vetëm gjatë vitit të
ardhshëm. Në kuadër të faktit se mandati i kryetarit aktual të PS-së,
Edi Rama, ka përfunduar në 26 shtator të këtij viti, socialistët pritet
të kryejnë zgjedhjet e reja për të zgjedhur sipas statutit dhe kryetarin
e ri.

Këto zgjedhje nuk u kryen në datën e caktuar, si pasojë e faktit se qeveria e re e drejtuar pikërisht nga Edi Rama si Kryeministër kishte vetëm pak ditë që kishte hyrë në zyrë. Për të menaxhuar këtë situatë, grupi parlamentar i PS-së, zgjodhi një grup pune të përbërë nga sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi dhe po kështu deputetët, Bashkim Fino dhe Taulant Balla.

Burime brenda grupit të punës, të zgjedhur për të vendosur në lidhje me kohën se kur do të mbahen këto zgjedhje dhe sesi do të administrohet ky proces, theksojnë se procedura e zgjedhjes së kryetarit të ri pritet të zhvillohet vetëm përgjatë vitit të ardhshëm.

Kjo për shkak të faktit se zgjedhja e kryetarit të ri të PS-së nuk shikohet një proces emergjent në kushtet kur Rama ishte konfirmuar si një lider i padiskutueshëm brenda socialistëve, në momentin që kishte arritur të drejtonte koalicionin fitues të zgjedhjeve të përgjithshme. Nga ana tjetër në këto momente e gjithë energjia e mazhorancës së majtë qeverisëse është e përqendruar te procesi i marrjes së masave të fundit në mënyrë që në dhjetor të arrihet marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian.

29 shtatori i këtij viti shënoi dhe fundin e mandatit të tretë të Edi Ramës në krye të partisë më të madhe në vend. Në këtë datë të katër viteve më parë, Rama u përball për kryetar PS-je në një garë me Maqo Lakrorin, duke e fituar atë me 90 për qind të votave. Sipas statusit të PS-së është Asambleja e socialistëve, organi që nis procedurën e zgjedhjes së kryetarit të ri të kësaj partie. Ky organ thërret brenda 30 ditësh Kongresin për administrimin e kandidaturave dhe caktimin e datës së votimit për zgjedhjen nga anëtarësia të kryetarit të ri të partisë, që nuk duhet të jetë më vonë se një muaj nga data e zhvillimit të Kongresit. Në vitin 2003, në pozicionin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Rama, kandidoi për herë të parë në Kongres përballë kryetarit të atëhershëm, Fatos Nano, dhe ish-presidentit Rexhep Meidani, garë të cilën ai e humbi, pasi përballë kishte kreun e kësaj partie dhe Kryeministrin e vendit.

Top Channel