Problemi madhor i shqiptarëve vazhdojnë të jenë pronat. Një parcelë tokë
bujqësore, një truall, apartament, shtëpi, magazinë, dyqan, apo edhe
automjet, shpeshherë kanë nga dy ose më shumë pronarë, madje edhe të
ligjëruar nga bashkia, komuna, hipoteka, noteri, gjykata apo edhe
prokuroria.

Ka mjaftuar një nismë e thjeshtë e qeverisë për të gjetur se ku mund të ndërhyhet apo të bëhet reformë në sistemin e drejtësisë, ku ka më shumë korrupsion në vend, apo ku jepet dhe merret masivisht ryshfet. Natyrisht, që ankuesit janë shprehur se hipoteka ka dhënë dy certifikata pronësie, apo ka mbivendosur një truall, ndërsa në disa raste ka pranuar dokumente të falsifikuara, të cilat janë përdorur më pas në gjykatë, për të fituar të drejtën e pronësisë, atje ku ka pasur probleme.

Gazeta Shqip ka bërë një vëzhgim në portalin e internetit të hapur nga Ministria e Drejtësisë, të titulluar “Stop Korrupsionit në Drejtësi”, ku qindra qytetarë janë ankuar për gjyqtarin, prokurorin, noterin, avokatin, bashkiakun, komunarin etj. Por, ka edhe ankesa ndaj babait, nënës, motrës, vëllait, gruas, djalit, vajzës, dajës, tezes, hallës, xhaxhait, madje me shumicë edhe për kushërinjtë, që i kanë zaptuar njëri-tjetrit troje. Ankesa ka edhe ndaj deputetëve, për influencë në bashki, komunë apo hipotekës, se kujt duhet t’ia japë pronën, në vend që të sheshonte këto konflikte. Sipas policisë, pronësia është një nga konfliktet që gjeneron më shumë viktima në vend, ku zënkat janë edhe për një vijë kullimi të ujit, apo për një gardh, që institucionet vendore nuk i kanë dhënë zgjidhje.

Denoncimet

Nga 301 ankesat në faqen e internetit http://ankesa.justice.gov.al/ pjesa më e madhe është për hipotekat, apo siç quhen zyrtarisht Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në shumicën e rasteve, ankesat lidhen edhe me vendime gjyqësore, apo me ankesa ndaj bashkiakëve apo komunarëve. Një banor i fshatit Bubullimë të Lushnjës, madje i identifikuar edhe me emrin Genci Gjoka, thotë se ka në pronësi një truall 500 metra katrorë. Ka ndërtuar një shtëpi banimi dhe në vitin 2012 i ka dalë pronari, i cili e ka fituar me vendim gjykate. Sipas ankesës (jo domosdoshmërisht mund të jetë e saktë), gjyqtari Dritan Caka ka dhënë vendimin për t’u prishur shtëpia ku banon Genci Gjoka bashkë me gruan dhe fëmijët.

Ndërkohë, një tjetër ankues, pretendon të kundërtën e Gjokës. Ai është Pëllumb Kuqo nga fshati Rrëmenj i Pogradecit, i cili thotë se në pasurinë e tij prej 330 metra katrorë që e ka edhe me hipotekë, është bërë një ndërtim pa leje nga një shtetas tjetër. Ai kërkon prishjen e ndërtimit dhe nuk gjen zgjidhje nga komuna apo institucione të tjera. Një tjetër ankues thotë se një gjyqtar i Elbasanit, pikërisht Bujar Musta, ka zvarritur çështjen e tij të përpjesëtimit të pasurisë në 15 muaj, duke shkelur kufizimin parimor dhe duke kryer shpërdorim detyre. Ankuesi pohon se ky gjyqtar i ka cilësuar hartat topografike të lëshuara nga ALUIZNI si jo të sakta. Problemi i radhës, sipas portalit online, vjen nga Gramshi, ku një qytetar ankohet se Zyra Përmbarimore ka bërë sikur ka ekzekutuar një vendim gjykate, kur në fakt nuk e ka kryer një gjë të tillë. Ankesë ka pasur edhe për aksionin e INUK në Vlorë, ku qytetarja Mjaftime Musaj pretendon se i është prishur shtëpia pa të drejtë. Ajo thotë se javën e parë të tetorit në banesën e saj ka shkuar një makinë policie me dy punonjës, një femër dhe një mashkull. I kërkuan që të lironte shtëpinë pasi do ia prishnin si ndërtim pa leje. Pretendon se ka konflikt me Bashkinë e Vlorës, ku kjo e fundit ka kërkuar që të prishet. Ermali nga Vlora ankohet për ndërtimin e një fshati turistik, ndoshta për Kakomenë. Ai thotë se banorët kanë konflikt 10-vjeçar, ndërsa thotë se në këtë zonë ka lulëzuar edhe trafiku i hashashit, që më parë është “monitoruar” nga Policia e Shtetit.

Ka edhe denoncime ndaj prokurorëve, siç është rasti në Fier. Shtetasi Nikollq Deliu, nga Kumani, denoncon prokurorin Genci Mane për një vendim të padrejtë të 30 qershorit të vitit 2011 të një procedimi penal të pushtimit të tokës. Ai akuzon edhe ish-drejtuesin e Prokurorisë së Fierit, Besnik Cani, për fshehje të dokumenteve, sipas së cilit, kanë mbrojtur Komunën Kuman. Ai është përleshur edhe fizikisht me një person tjetër, ndërsa pretendon se ka edhe filmime. Sërish denoncim në Fier dhe kësaj here nga shtetasi Nikollaq Ristani. “Denoncoj gjyqtarin e Fierit Ergys Selmani për shpërdorim detyre, pandershmëri në kryerjen e detyrës, pasi ka marrë një vendim të padrejtë. Nuk ka marrë në konsideratë provat dhe dokumentet e rregullta…” ishte ankesa e radhës. Shtetasi Denis Dervishi ka një denoncim për prokurorin e Tiranës, Blerim Tominajn. “E denoncoj prokurorin Blerim Tominaj pasi ka marrë ryshfet nga shtetasi Gentian Begolli dhe Ziana Mosho gjatë periudhës së shtatorit 2011 për mbylljen e hetimeve në favor të këtyre të fundit, pasi më parë u arrestuan në kushtet e flagrancës nga seksioni i trafiqeve me në krye Emiljano Pashajn… Kundrejt shumës së 5 mijë eurove, prokurori i favorizoi në përpilimin e mbylljes së hetimeve, duke i lënë të 2 shtetasit e lartpërmendur në gjendje të lirë, e që për më tepër ishin të hetuar dhe të ndaluar në flagrancë nga seksioni i trafiqeve, inspektori Emiljano Pashaj. Jam i hapur dhe i gatshëm t’ju ndihmoj në çdo aspekt”, thuhet në denoncim.

Ankesë ka pasur edhe për gjyqtarin Agim Bendo. Refat Muzhaqi i shkruan ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, në lidhje me një vendim të falsifikuar. “Ky kalim pronësie është bërë me dokumente të falsifikuara dhe të hartuara në mungesën time. Ky vendim është bërë nga gjyqtari Agim Bendo, i cili ka lidhje farefisnore me përfituesin. Kërkoj rishikim të çështjes dhe kundërshtim vendimi”, shkruan Muzhaqi. Ndërkohë, shtetasi Jorgo Abazi shkruan se: Pallati që po ndërton kryetari aktual i Gjykatës së Tiranës te Don Bosko a ka leje, nga kush e ka dhe ku i ka marrë paratë e ndërtimit dhe të tokës ky zotëria kryetar? Gjon Shkambi ankohet për zvarritjen e procesit gjyqësor, me gjyqtare Mira Dedjen, sipas së cilit, çështja e tij është në proces prej dy vitesh. Violeta ankohet ndaj prokurores Vojsava Starova, për mbylljen e denoncimit për zhdukjen e dokumenteve. Denoncimi i radhës është për gjyqtaren e Apelit në Gjirokastër, Irena Ibrahimi, ankesë e firmosur nga Sovjet Mehmeti, i cili pretendon se kjo gjyqtare ka vendosur brenda një dite për një çështje, pa prezencën e avokatit të tyre. Luljeta Veli ankohet se e kanë mashtruar, ndërsa pretendon se ka dokumente për korrupsion ndaj Hipotekës së Vlorës. “Hipoteka ka pajisur me një certifikatë shtetasen Hena Asllani. Gjyqtari Simon Kolagji ka marrë ryshfet duke dhënë një vendim në dëmin tim…” thuhet në denoncim. Olimbi Gjermeni kërkon largimin e gjyqtarëve të korruptuar, ndërsa thotë se ka të tillë në Durrës. “Ai është Petrit Ceno, me të cilin, në 12 maj 2009, kisha një gjyq i cili mori një vendim arbitrar, në dëmin tim pa marrë parasysh faktet që kisha paraqitur unë dhe pa e parë fare dosjen time, për arsye se kishte marrë para nga pala kundërshtare, pikërisht nga Feruze Bekteshi, e cila ma pohoi vetë”, ishte denoncimi. Dhe ankesat vijojnë me radhë në këtë portal, siç është rasti i Rrapi Halilajt, i cili denoncon gjyqtarin e Vlorës, Astrit Sheme, i cili në datë 6 shkurt ka pranuar ryshfetin e tij prej 1500 eurosh për të fituar gjyqin. “Na kishte premtuar vendim të formës së prerë në shkallë të parë, por nuk ishte i tillë. Dëshmi për dhënien e lekëve mund të japë dhe kunata ime, Emine Rexhitaj, dhe avokati Beqir Fejzo. Ky gjyqtar emërohet kryetar i Gjykatës Administrative! Të ndalohet ky korrupsion!” vijon denoncimi. Muharrem Rrapaj ka një denoncim për Prokurorinë e Vlorës, pikërisht ndaj Klodian Brahos, për shpërdorim të postit. Ai pretendon se “zotëria ka zhdukur nga dosjet e hetimit çështjen për mashtrim dhe përdorim të firmës së një gruaje të vjetër në moshë, e cila ishte dhe pronare e ligjshme e tokave në Vlorë, kundër Kasëm dhe Luljeta Cenaj (ish drejtor i KKP dhe gruaja notere). Kërkojmë të rihapet hetimi dhe të ndëshkohen personat përgjegjës…”. Ndërkohë, nisma e Ministrisë së Drejtësisë për të gjetur pasuritë e njerëzve që bëjnë drejtësi, duket se është denoncuar në të vetmin rast nga një qytetar nga Elbasani. Ai shkruan se: Ju bëjmë me dije se në Prokurorinë e Elbasanit është një prokuror i quajtur, Binas Nina, ku kërkon lekë për të mbyllur çështje. Ka në pronësi disa vila, një ndërtim e ka në fshatin Labinot-Fushë, të cilat i ka ndërtuar nga mitëmarrja. Aftësia e tij është me kurs 6-mujor. Është ekstremist i djathtë”, shkruan i quajturi “Zyrtari Elbasan”.

Top Channel