Aksioni i INUK-ut në qytetin e Vlorës për prishjen e ndërtimeve pa leje, është ndjekur nga kryeministri Edi Rama, deputet i këtij qyteti.

Kreu i qeverisë shoqërohej nga kreu i INUK-ut, Zyhdi Dajti, ministri i Mjedisit, Lefter Koka, dhe prefekti Besnik Dervishi.

Së bashku ata panë nga afër prishjet që u bënë në zonën nga Skela përgjatë bregdetit deri në Ujë të Ftohtë.

Kryeministri eci në këmbë përgjatë 3 kilometrave ku nuk dha asnjë deklaratë për mediat edhe pse interesi ishte i lartë. Në ecje e sipër takohej me qytetarë të ndryshëm si dhe përshëndetej nga kalimtarët.

Rama qëndroi më shumë se dy orë duke inspektuar, por edhe duke dhënë porosi për inspektorët e INUK-ut.

Aksioni i INUK-ut është përqëndruar për prishjen e dhjetëra objekteve përgjatë vijës bregdetare, por edhe mbi rrugën nacionale.

Operacioni i nisur prej disa ditësh ka përfshirë shembjen e objekteve edhe në zonën e Aulonës.

I gjithë ky aksion është drejtuar nga vetë kreu i INUK-ut Zyhdi Dajti, me mbështetjen e efektivëve të Policisë së Shtetit, FNSH-së dhe Policisë Rrugore.

Nga të dhënat paraprake mësohet se deri më tani në Vlorë janë prishur 60 objekte.
 

Top Channel