Një ditë pasi Kryeministri Edi Rama dha përgjigjen ‘JO’ për asgjësimin e
lëndëve kimike të Sirisë në Shqipëri, llogaritë bëhen a u cënua raporti
me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Per ish-Ministrin e Jashtem Besnik Mustafaj, zhgenjimi eshte emocion, por rendesi kane themelet mbi te cilat eshte ngritur ky partneritet, përkunder nga sa analisti Afrim Krasniqi mendon.

“Shqipëria është një shtet sovran, është anëtar i NATO-s, anëtar i OKB-së dhe në të gjitha deklarimet zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës konsiderohet një shtet partner, pra nuk konsiderohet një shtet vasal. Për sa kohë konsiderohet një shtet partner, respektohen vendimet e partnerit. Ne kemi të bëjmë këtu me një angazhim në parim, siç e tha Kryeministri Rama, i cili nuk është marrëveshje, është një angazhim në parim. Unë nuk besoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtete inatçorë”, tha Mustafaj.

“Në rastin konkret gjërat shkuan në atë pikë, ku u vendos në dilemë, po themi, ajo që quhet marrëdhënie strategjike e Shqipërisë me SHBA-të. Ne kemi interes jetik marrëdhëniet me SHBA-të, është shteti më i fuqishëm i botës dhe shteti që ka përkahur shqiptarët në çdo moment historik dhe sot janë shteti për të cilin ne kemi nevojë më shumë se kushdo tjetër. Kam përshtypje që sot dhe në të ardhmen nuk do të jenë më në këtë lloj nivelesh”, tha Krasniqi.

Mustafaj e Krasniqi kritikojnë menyren se si u menaxhua situata deri ne momentin e vendimit nga Kryeministri Rama dhe për ish-ministrin Mustafaj, vendimi nuk duhet të shihet i shoqëruar me asnje peng se Shqiperia e humbi kete shans.

“Shqipëria nuk ka humbi asnjë shans, ju siguroj unë me gjithë përvojën time, asnjë analizë nuk më çon në përfundimin se Shqipëria humbi një shans. Përkundrazi, Shqipëria fitoi një shans, sepse në këtë rast ne pamë një klasë politike, një vendimmarrje të nivelit të lartë, siç është zyra e Kryeministrit, t’i nënshtrohet mospajtimit të opinionit publik. Pra, ne pamë një Kryeministër, jo kokëfortë, jo arrogant në vendimin përfundimtar. Deri aty nuk ishte aspak ai që duhej të ishte, por në vendimin përfundimtar ne pamë një Kryeministër që di të tërhiqet, nuk ishim mësuar të kishim një të tillë”, tha Mustafaj.

“Ajo që unë mund të them me garanci është se nëse zoti Berisha do të kishte qenë Kryeministri, me siguri të plotë që ditën e parë do ta kishte miratuar projektin, pa kaluar këtë lloj faze reagimi. Kemi patur rastin e ujgurëve, kemi patur rastin e operacioneve të ndryshme edhe ushtarake, kemi patur rastin e muxhahedinëve nga Irani, të cilat janë bërë pa pyetur opinionin publik dhe pa u konsultuar me strukturat e sigurisë kombëtare. Po kjo është një traditë për të cilën ne duhet të ndahemi, pra nuk duhet të thënë që ka gabuar pala tjetër dhe më lejohet edhe mua të gaboj. Shqipëria ka nevojë për një mentalitet të ri qeverisës, ka nevojë për lidership politik”, tha Krasniqi.

Ish-ministri i Jashtem vlereson nje tjeter risi qe tregoi situata:

“Unë isha në protestë dhe personalisht kam dalë nga protesta, si të thuash i ngazëllyer, për arsyen se pashë aty brezin e fëmijëve të mi, ata që kanë lindur pas 90-ës, çka është një tregues shumë shpresëdhënës për pjekurinë që po fiton shoqëria shqiptare, opinioni publik, kapacitetin reaktiv, nisur pikërisht nga inteligjenca, nga ndjeshmëria, nga mungesa e kompromisit e disa cilësi të tjera, që i ka ky brez”, tha Mustafaj.

Ndersa Mustafaj vlereson levizjen e te rinjve, Krasniqi kritikon opoziten per frymen antiamerikane qe prodhoi.

“Vuri në dilemë marrëdhëniet me partnerin kryesor për një interes momental të ditës. Opozita është e painformuar për çfarë ka ndodhur edhe për shkak të Qeverisë, por sidomos për shkak të paaftësisë së saj për të kuptuar realitetin politik dhe për të kuptuar që ka një arsye që protestojnë, nuk protestojnë për të kthyer në pushtet një palë tjetër politike,por po protestojnë për parime dhe standarde të reja, që aktualisht ajo nuk i përfaqëson. Nëse kriza e maxhorancës është krizë luksi, pushteti dhe përfaqësimi dhe ka mundësi për ta korrektuar, kriza e opozitës është krizë identiteti dhe kjo është shumë më e thellë”, tha Krasniqi.

Top Channel