Kur kapitulli i protestës pesëditore kundër armëve kimike u mbyll
menjëherë pas fjalimit të Kryeministrit Edi Rama, një tjetër kapitull
është hapur për llogari të Prokurorisë.

Eshtë Policia e Tiranës ajo që ka vënë në lëvizje organin e akuzës, duke referuar materialin për hetime të mëtejshme për veprën e tubimit të paligjshëm.

Policia e kryeqytetit mendon se organizatorët e protestës, pjesëtarë të shoqërisë civile për ambientin kanë shkelur ligjin për të drejtën e tubimeve, i cili thotë se: për manifestimin në vendet publike ata duhet të kërkojnë leje me shkrim pranë autoriteteve policore.

Por kjo gjë ka ndodhur për vetëm njërën nga ditët e këtij manifestimi qytetar, ndërsa më pas policia pretendon se nuk është vënë në dijeni, siç është e sanksionuar me ligj.

Megjith këtë qëndrim, policia gjatë këtyre ditëve ndoqi zhvillimin e protestës, e cila shënoi një pjesëmarrje masive jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe dhe që nuk u shënua asnjë incident ose konfrontim.

Tahiri: S’ka proçedim ndaj protestuesve
Ministri i Brendshëm reagon pas njoftimit të policisë

Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri ka sqaruar pasditen e së shtunës opinionin publik se nuk do të ketë proçedim penal ndaj protestuesve që kundërshtuan pranimin e demontimit të armëve kimike.

Reagimi i Tahirit vjen pas njoftimit të bërë më herët gjatë ditës nga Policia e Tiranës, se protestuesit nuk kishin marrë leje për të bërë manifestimin e tyre dhe për rrjedhojë protesta ishte e paligjshme.

“Ndoqa njoftimin në disa media, ndaj ndjej të sqaroj keqkuptimin. Nuk ka proçedim penal për protestuesit. Ditën e parë të protestës dhe devijimit të saj pranë godinës së një prej ambasadave, policia ka ndjekur përpilimin e një proçedure rutinë, lidhur me daljen nga plani i shpallur i protestës. Në ditët në vijim, kjo proçedurë u ndërpre me urdhër të kryeministrit, për sa kohë daljet nga plani i protestës nuk përbënin rrezik për objektet e rëndësisë së veçantë”, ka deklaruar Tahiri.

Tahiri ka bërë me dije se, gjatë këtyre ditëve vetë kryeministri Rama e ka telefonuar vazhdimisht atë për t’u siguruar që policia të ishte sa më pak e pranishme dhe sa më shumë qytetare në sjelljen e saj me protestuesit.

“Besoj se ia arritëm të tregojmë fytyrën e qytetëruar të Policisë së Shtetit, si partner i denjë i qytetarëve. Fituam siguri nëpërmjet paqes e jo nëpërmjet dhunës ndaj protestuesve”, ka thënë Tahiri.

Top Channel