Protestuesit festojnë pas “JO”-së

15/11/2013 00:00

Deklarata 30-minutëshe e kryeminsitrit Edi Rama, se Shqipëria e ka të pamundur të demontojë armët kimike, është pritur me brohoritje nga protestuesit, të cilët prej 48-orësh kishin qendruar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pikërisht këtë përgjigje.

“Në momentin e fundit ishim në ankth, por gjithçka shkoi mirë dhe ajo ishte një lule në shkretëtirë që lindi”, deklaroi një protestues.

“U finalizua me një sukses të jashtëzakonshëm. Rama u tha qytetarëve se ‘karrigia është e tija, por pushteti është i popullit’”, komentoi një qytetar tjetër.

“Ai është kryeministri ynë. E kemi zgjedhur vet dhe e falenderojmë shumë. Jemi të kënaqur që e kemi zgjedhur”, u shpreh një tjetër.

Kjo protestë qytetare, e cila kishte organizatorë thjesht ndërgjegjen individuale të secilit protestues, për të mos lejuar demontimin e armëve kimike në Shqipëri, ndryshe nga herë të tjera nuk ka kërkuar as masa të rrepta sigurie përpara selisë së Kryeministrisë.

Pas përgjigjes së kryeministrit, protestuesit janë larguar të entuziazmuar nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Top Channel