Basha: Rama i gënjeu të gjithë

15/11/2013 00:00

Lulzim Basha përgëzoi rininë shqiptare që sipas tij “i dha fund ankthit duke e detyruar Edi Ramën t’i thotë një JO të mekur asgjesimit të armëve siriane në Shqipëri”.

Në një dalje për mediat, kreu i Partisë Demokratike tha: “Kjo është fitore e shoqërisë së lirë shqiptare që mori në dorë fatin e saj kur kryeministri donte të luante me të. PD-ja ndihet pjesë e gëzimit të ligjshëm mbarëpopullor sepse ishte në krahun e qytetarëve dhe bëri detyrat e saj si opozitë për të demaskuar gënjeshtrat dhe mashtrimet e kryeministrit. Thënë këtë, përsëris me krenari se punën e madhe e bëri populli dhe rinia pa dallime politike.”

“Rinia është aspirata demokratike europiane dhe moderne. Si kryetar, qytetar dhe prind i shpreh mirënjohjen të rinjve dhe të rejave që u bënë barrikadë e aventurës së kryeministrit me armët kimike. Një problem i madh u zgjidh, por një tjetër doli. Ky problem është Edi Rama, i cili me megalomaninë e tij kurdisi skandalin duke u ofruar për shkatërrimin e armëve kimike, por jo si kryeministër serioz apo partner i mirë që dëshiron të ndihmojë. U ofrua si hileqar dhe pazarxhi për interesat e veta”, shtoi Basha.

Kryetari i opozitës argumentoi më tej: “Kryeministri nuk bëri transparencë duke e mbajtur të fshehtë këtë çështje dhe nuk u konsultua me askënd. Vetë demokracia amerikane është ngritur në themelet e transparencës. Rama gënjeu aleatin tonë strategjik. Ai mbeti vetëm në rrethin e gënjeshtrave të tij, i pabesueshëm edhe nga partnerët tanë.”

Basha foli edhe për marrëdhëniet e partisë që ai drejton me Shtetet e Bashkuara të Amerikës: “Për PD-në, marrëdhëniet me SHBA-në janë marrëdhënie kyçe të dorës së parë. PD-ja ka bashkëpunuar si aleate e ngushtë për shumë çështje me rëndësi për paqen dhe sigurinë globale. Aleatët tanë e njohin shumë mirë përkushtimin e Shqipërisë nën drejtimin tonë. Këtë e tregojnë deklaratat e zyrtarëve më të lartë amerikanë përgjatë viteve. Kryeministri gënjeshtar duhet të marrë përgjegjësinë e plotë dhe PD-ja do të kërkojë transparencën për këtë histori që dëmtoi imazhin e vendit tonë dhe e vuri në pozitë të vështirë karshi aleatit.”

Top Channel