Mijëra studentë, gjimnazistë dhe qytetarë janë vendosur para Parlamentit
për të kundërshtuar ardhjen e armëve kimike nga Siria, duke shënuar
edhe protestën më të madhe deri tani qytetare për këtë çështje.

Pas rreth një orë protestë, mes turmës ka ardhur kryeparlamentari Ilir Meta, i cili, duke dialoguar me protestuesit, ka premtuar se qeveria nuk do të marrë asnjë vendim, që bie ndesh me interesat dhe të ardhmen e çdo shqiptari.

“Të jeni të sigurt se çdo vendim do të ketë në themel të ardhmen e Shqipërisë, të ardhmen e të rinjve dhe të rejave, të ardhmen e popullit, prandaj kini besim se ky është Parlamenti juaj, kjo është Qeveria juaj. “Ju premtoj se bashkë me përfaqësuesit më të shquar të shoqërisë civile, ekspertët më të mirë të vendit, bashkë me të gjithë ata që kujdesen për të ardhmen e vendit, ne do të jemi gjithmonë në krahun tuaj, të të ardhmes së vendit dhe asbolutisht që ju duhet të jeni të sigurt se ky Parlament dhe kjo Qeveri nuk mund të vihen asnjëherë kundër vullnetit tuaj”, u shpreh Meta, përpara protestuesve.

Pak përpara kryeparlamentarit Meta, edhe deputetja Mesila Doda pati deklaruar se ajo do të ishte pjesë e pandashme e kësaj proteste qytetare.

Në orët që pasuan, protesta është zhvendosur para Kryeministrisë, ku qindra të rinj dhe qytetarë kanë kërkuar që qeveria të deklarohet kundër armëve kimike.

Njerëzit janë stacionuar në bulevard, para godinës së Kryeministrisë, duke protestuar gjatë gjithë paradites qetësisht dhe në mënyrë qytetare. Por, qetësia është prishur dhe protesta është ndezur pak pas orës 14:00, kur në shesh kanë zbritur udhëheqësit e opozitës.

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kanë hyrë në mes të turmës, duke apeluar për përshkallëzim të protestës në të gjitha qytetet e vendit.

Prania e tyre në këtë protestë ka shkaktuar një reagim të fortë të qytetarëve, të cilët përmes vërshëllimave, xhesteve dhe zhurmës kanë kërkuar mos-politizimin e protestës së tyre dhe largimin e menjëhershëm të tyre.

Të gjendur në mes të këtij reagimi, Berisha dhe Basha nuk kanë mundur të qëndrojnë as disa minuta në shesh dhe janë detyruar të largohen.

Qytetarët, të cilët kanë nisur protestën që në orën 9 të mëngjesit, kanë vijuar të qëndrojnë përgjatë gjithë ditës dhe mbrëmjes, të grumbulluar përpara Kryeministrisë.

Në orët e vona, të rinjtë nuk kanë lejuar t’i bashkangjitet protestës as kreu i Shoqatës së Konsumatorëve, Altin Goxhaj, me pretendimin se ai mbron interesa partiake dhe jo interesa të qytetarëve.

Top Channel