Protestë për armët edhe në Kuvend

14/11/2013 00:00

Të frymëzuar edhe nga pjesëmarrja qytetare në protestën jashtë Kuvendit, demokratët kanë mbërritur në seancë parlamentare me vendimin për ta bllokuar atë dhe për të mos lejuar diskutimin e asnjë cështjeje tjetër përvec asaj të armëve kimike.

Pas bllokimit fillimit nga gratë deputetë të PD të podiumit, opozita kërkoi që kryeministri Edi Rama të ndërpresë vizitën jashtë vendit dhe të vijë urgjentisht në Kuvend për të dhënë sqarime për këtë cështje.

Edhe një here ishte ish-kryeministri Sali Berisha që u kthye në zërin kryesor të opozitës në Kuvend, ku deklaroi se qeveria shqiptare është vetëofruar për asgjësimin e armëve kimike në territorin tonë dhe ky vendim tashmë është marrë tha ai.

“Ky Kryeministër, i cili sot ia mbath për vizitë poshtë e përpjetë duhet të ishte këtu. U tha shqiptarëve tre javë rresht se nuk ka vendim, ndërkohë që dje doli një personalitet botëror, më seriozi në fushën e armëve kimike, Ëalker dhe tha se Shqipëria i ka pranuar armët kimike. Eshte bere nje mashtrim i përmasave makbethiane”, tha Berisha.

“Doktori e ka më të lehtë të besojë atë eskpertin që e bëri më të mirë në botë, se sa të më besojë mua që ka qeverisur katër vjet. Si do të ketë vendim, pas dëgjuar edhe zërin tënd këtu në Parlament?”, replikoi Ilir Meta, kryetar i Kuvendit.

Por kryetari i grupit socialist Gramoz Ruci disa herë theksoi se nuk ka vendim të qeverisë shqiptare, duke vlerësuar nga ana tjetër sensiblilitetin e lartë qytetar për këtë cështje dhe ftoi ish-kryeministrin Berisha që opozita të mos përvetësojë protestat  e shqiptarëve.

“Ju garantojmë që nuk ka deri më sot asnjë vendim dhe nuk do të ketë asnjë vendim që cënon sadopak interesat e vendit tonë të përbashkët. Për këtë jemi votuar. Nuk do të ketë asnjë vendim që bie në kundërshtim as me interesat e Bashkimit Europian dhe as me interesat e NATO-s, po cdo gjë do të jetë e rakorduar dhe e dakordsuar totalisht me ta”, tha Ruci.

Me ndërprerje të vazhdueshme të seancës në një prej të cilave kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka zbritur nga vendi i tij dhe është ulur prane ish-kryeministrit Berisha në përpjekje për ulje të tensionit në seancë ku demokratët kanë qendruar në këmbë gjatë gjithë zhvillimit të saj edhe kur  mazhoranca vijoi më rendin e ditës

Në këto kushte, ku u vu re dhe amullia e votimeve nga disa deputetë, është miratuar  me 73 vota pro të mazhorancës, marrëveshja me kompaninë britanike “Crown Agents”, për  të asistuar doganat shqiptare, votim ku opozita nuk morri pjesë, por që më herët është deklaruar kundër saj.

Të majtët kanë rrëzuar gjithashtu dekretin e Presidentit për rishqyrtim të aktit normativ të qeverisë për shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil, votim që mori 75 votat pro dhe një abstenim.

Top Channel