Tragjeditë në minierat e vendit

08/11/2013 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe ministri i tij i Financave, Ridvan Bode kanë qenë të paralajmëruar zyrtarisht se minierat shtetërore të mbyllura në konservim rrezikonin jetë njerëzish.

Top Channel zotëron dy shkresa zyrtare, në të cilat administratori i shoqërisë publike Albminiera, Gjin Progni vë në dijeni ish-kryeministrin Berisha dhe zotin Bode se fondet e pamjaftueshme që qeveria i kishte dhënë kësaj shoqërie e bënin të pamundur ruajtjen e minierave dhe parandalimin e aksidenteve në to.

Në shkresën e parë, që i drejtohet zotit Berisha, Progni, pasi njeh atë me krizën e thellë financiare të shoqërisë, shkruan se është jetike që qeveria të akordojë të paktën 28.3 milionë lekë brenda vitit 2012 për të mos minuar ekzistencën e Albminiera dhe për të parandaluar mundësinë e aksidenteve në burimet minierare që ajo zotëron.

Në po këtë letër, e cila mban datën 30 nëntor 2012, Progni i kërkon ish-kryeministrit që veç fondeve shtesë të urdhërojë urgjentisht mbylljen e punimeve minerare brenda territoreve të këtyre minierave, pasi sipas tij, deri tani janë dokumentuar 306 raste të ndërhyrjeve, të cilat ishin rrezik për humbje jetësh.

Vetëm dy muaj më vonë, pasi nuk kishte marrë ende zgjidhje, administratori i Albminiera i drejtohet ministrit të Financave, Ridvan Bode. Edhe në këtë letër ai ka ripërsëritur kërkesën për fonde, pasi shoqëria nuk mund ta përmbushte dot më misionin e saj, që ishte ai i ruajtjes së minierave nga dëmtimi dhe parandalimin e aksidenteve në to.

Shoqëria publike Albminiera zotëron aktualisht 33 miniera të mbyllura në konservim. Vetëm dy ditë më parë në njërën prej tyre, që gjendet në rrethin e Pogradecit, humbën jetën 5 të rinj të cilët kishin hyrë për të marrë skrap.

Një tragjedi që duket se ishte parlajmëruar që në fundin e vitit të kaluar, teksa shoqëria vinte në dijeni ish-kryeministrin Berisha dhe kreun e Financave Bode, se me fondet e akorduara nga qeveria nuk mund të parandalonte aksidentet e mundshme në këto miniera.

Top Channel