Shpërthen konflikti President-Qeveri

08/11/2013 00:00

Presidenti i Republikes Bujar Nishani ka kthyer për rishqyrtim në
Kuvend  Aktin Normativ për Nëpunësin Civil, duke i dhënë udhë në këtë
mënyrë përplasjes së parë me shumicën e re të majtë.

Ne arsyetimin derguar Parlamentit , kreu i shtetit thekson se procedura e ndjekur nuk eshte i rregullt dhe rrezikon sipas tij rendin juridik dhe shtetin e se drejtes, duke shkelur haptazi Kushtetuten.

“Në këto kushte, një Akt Normativ i Qeverise, pra i njerit prej pushteteve nuk duhet që të modifikoje apo ndryshoje një ligj, i cili është miratuar me shumicë të cilësuar, po ashtu nuk mund të shprehet rreth çështjeve të hyrjes apo jo në fuqi të një ligji kaq specifik “Për nëpunësin civil”, të miratuar në maj me konsensus të gjerë parlamentar. Këshilli i Ministrave gjatë kohës që kishte në dispozicion, duhej dhe duhet të përgatiste dhe nxirrte aktet nënligjore në zbatim të ligjit nr.152/2013, dhe jo të vinte në pikëpyetje qëndrueshmërinë e ligjit duke e ndryshuar me Akt Normativ. Veprim ky që rezulton të jetë nëshkelje të pikës 2 të nenit 81 të Kushtetutës, i cili ndër të tjera sanksionon se ligji për statusin e funksionarëve publikë, bën pjesë në grupimin e ligjeve që duhen miratuar me një shumicë të cilësuar prej tre të pestave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, shprehet Presidenti.

Sipas Presidentit të Republikes Nishani shkeljet kane prekur edhe pika te tjera te Kushtetutes.

“Në rastin e miratimit të Aktit Normativ, me fuqinë e ligjit, nr.5, datë 30.9.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në ligjin “Për nëpunësin civil”, vlerësoj se është shkelur edhe pika 4 e nenit 84 të Kushtetutës, e cila parashikon marrjen e pëlqimit nga Presidenti i Republikës për hyrje në fuqi menjëherë të ligjit, i cili miratohet për të përballuar një masë të jashtëzakonshme apo në rast nevoje e urgjence. Fakti që Presidentit të Republikës nuk i është parashtruar një kërkesë e tillë, provon se miratimi i Aktit Normativ, me fuqinë e ligjit, i Këshillit të Ministrave, nuk ishte aspak një masë e jashtëzakonshme, një rast nevoje e urgjence”, sqaron Presidenti.

Ne perfundim, zoti Nishani ne mbeshtetje te arsyetimit i drejton deputeteve edhe disa pyetje.

“A është paraqitur raporti që përligj shpenzimet financiare mbi buxhetin e shtetit dhe gjendjen ekonomike financiare? A është zgjidhje e drejte dhe e duhur shtyrja e efekteve të ligjit edhe për 6 muaj, nderkohe që kemi një ligj i cili tashme ka 7 muaj që eshte miratuar në Parlament dhe ka hyre në fuqi që prej një muaji? A mund të jete argument i vlefshem “koha e pamjaftueshme për të bere rregullime ligjore” ndaj një ligji, i cili eshte i miratuar jo me larg se para 7 muajsh dhe diskutimet mbi të cilin kanë vazhduar madje të mbeshtetura dhe nga asistenca e partnerëve tanë ndërkombetarë?!”, thekson Presidenti.

Me kthimin e Ligjit ne Kuvend per rishqyrtim, ne fakt Presidenti nuk i le dot hapesire per ta rishqyrtuar ligjin. Sipas Kushtetutes, Parlamenti ose e miraton ose e hedh poshte nje Akt Normativ. Por me sa duket ajo qe do te beje Parlamenti, eshte qe do te rrezoje dekretin e Presidentit.

Top Channel