Qeveria miratoi të premten disa ndryshime në Kodin e Proçedurës Penale që synojnë përfshirjen në kompetencën e Gjykatës së Krimeve të Rënda të veprave penale në fushën e korrupsionit.

Gjithashtu, ato synojnë përcaktimin e dhënies së autorizimit për të proçeduar në rastet e arrestit, ushtrimit të kontrollit personal ose të banesës, për deputetin, gjyqtarin, gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese dhe atë të Gjykatës së Lartë.

“Disa nga ndryshimet thelbësore të paraqitura sot dhe që së shpejti do kalojnë në Parlament janë ndryshimet në Kodin e Proçedurës Penale. Do t’i hapet rrugë prokurorisë që të fillojë të hetojë seriozisht korrupsionin në Shqipëri”, deklaroi pas mbledhjes së ekzekutivit ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.

Duke e konsideruar korrupsionin një krim serioz, ministri shtoi se qeveria nuk do të zhgënjejë pritshmëritë e qytetarëve në luftën ndaj kësaj dukurie negative. “Të gjithë kanë shpresë nga kjo mazhorancë. Jemi votuar nga mbi 1.5 milion shqiptarë”, theksoi ai.

E pranishme në këtë deklaratë ishte edhe ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, e cila riafirmoi vullnetin e qeverisë për të realizuar reformat integruese.

“Jemi të vendosur të luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Do punojmë me vendosmëri për të çuar përpara reformat integruese”, deklaroi Gjosha.

Shpërblim për familjen e Lirak Bejkos, Instituti “i jepet” FRD-së

Mes vendimeve të mbledhjes së të premtes, Këshilli i Ministrave vendosi edhe fondin prej 500 mijë lekësh të rinj për familjen e Lirak Bejkos, ish i përndjekur politik që ndërroi jetë nga plagët e marra gjatë aktit të vetëdjegjes si formë proteste ndaj qeverisë për mosmarrjen e kompensimit në nëntor të vitit të kaluar.

Një tjetër vendim i marrë nga qeveria që ka të bëjë sërish me ish të përndjekurit politikë ishte edhe ai i shkarkimit nga detyra nga Drejtor të Institutit të Integrimit të të Përndjekurve të Simon Mirakës dhe emërimit në krye të këtij Institutit të Bedri Blloshmit.

Ky vendim “fut në bashkëqeverisje” Frymën e Re Demokratike pasi Blloshmi ka drejtuar Departamentin për Ish të Përndjekurit Politikë në këtë parti.
 

Top Channel