Arben Frroku, 45 vjeç, nën hetim për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, u ekstradua në Shqipëri nga autoritetet greke në orën 17 të pasdites së të premtes.

Në një kohë që dorëzimi i tij është bërë nën shoqërimin e agjentëve të Interpol Tiranës, ranë në sy kushtet e forta të sigurisë jo vetëm nga policia e areoportit të Rinasit, por edhe nga agjentë civilë, si dhe policia e burgjeve që kryen edhe shoqërimin e Frrokut.

Brenda pak minutash, Frroku, i njohur më herët si një biznesmen i fuqishëm në Tiranë, kreu proçedurat e mbërritjes në Shqipëri në një kohë që pritet që në ditët në vijim ai të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e vendosur në mungesë nga Krimet e Rënda.

I pranishëm, megjithëse në distancë gjatë momentit të ekstatrdimit, ishte edhe avokati mbrojtës i 45-vjeçarit, i cili nuk dha asnjë koment për mediat.

Arben Frroku dyshohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si një ndër njerëzit kryesorë që është i përfshirë ne vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, i vrarë me 12 plumba në prag të shtëpisë së tij më 24 shkurt të këtij viti.

Por megjithëse organi i hetimit ka regjisturuar proçedimin penal numër 40 dhe pretendon se e ka gjetur njeriun më të rëndësishëm të implikuar në krim, nuk ka ende asnjë të dhënë për dy personat e tjerë të dyshuar se ndodheshin në automjetin tip “BMW” nga dhe u qëllua me armë zjarri drejt ish-shefit të komisariatit të lagjes së Kombinatit, Dritan Lamaj.

Arben Frroku u arrestua në Selanik një ditë pas kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa ai asnjëherë nuk ka pranuar që të jetë i përfshirë në këtë krim dhe nëpërmjet fakteve që shpesh herë ka përmendur edhe avokati i tij mbrojtës për Top Channel, ka pretenduar se  nuk ka qenë në Tiranë në kohën kur ka ndodhur vrasja.

Frroku ka theksuar gjithnjë në deponimet e tij edhe në gjykatat greke se akuzat ndaj tij dhe më pas arretsimi janë kryer për motive politike.

Top Channel