Qeveria do të shpallë konkursin si mënyrë e rekrutimit të nëpunësve të
administratës. Zëvendëskryeministri Niko Peleshi deklaroi se për herë të
parë po instalohet një sistem që i hap rrugën meritokracisë.

“Sot dëshirojmë të njoftojmë publikun e gjerë, të gjithë të interesuarit, se duke filluar nga java që vjen, Kryeministria, hapur dhe publikisht, do të shpallë konkurset për vendet e lira të punës, në njësitë  e Kryeministrisë. Këto konkurse do të jenë një dimension publik dhe i hapur, mendojmë për herë të parë në Shqipëri.Për herë të parë në Shqipëri, ne do të synojmë që praktikat e rekrutimit të jenë të ndryshme nga ato tradicionalet. Për herë të parë në Shqipëri, rekrutimi do të kryhet nga qendrat e vlerësimit. Qendrat e vlerësimit janë ato qendra, të cilat mundësojnë meritokracinë të vijë në vendin e punës. Qëllimi i këtyre konkurseve do të jetë i qartë: Kryeministria do të jetë qendra e ekselencës së administratës publike shqiptare.
Ne ftojmë të gjithë të interesuarit, të rinj apo jo të rinj, të cilët ndihen të aftë të jenë pjesë e ekselencës, që janë shkolluar në Shqipëri, jashtë Shqipërisë, që jetojnë këtu apo jashtë Shqipërisë, të kthehen dhe të japin kontributin e tyre, në një proces historik për të ardhmen e vendit”, tha Peleshi.

Top Channel