Opozita, të hënën në protestë

07/11/2013 00:00

Opozita do të nisë të hënën protestat.

Njoftimi është bërë pasi të rinjtë e forumit demokrat dhe deputetët e kësaj force politike shpërndanë letra të stampuara si kartmonedha 2 mijë lekëshe jashtë parlamentit dhe brenda tij, për të denoncuar atë që ata besojnë; blerjen e votës në zgjedhjet e Korçës; skenar që sipas tyre u përdor masivisht në zgjedhjet e 23 qershorit.

“Nëse dikush mendon se e mori dhe mund ta mbajë pushtetin me para të pista, me banda apo me vota të blera, gabon rëndë. Kështu si e keni nisur zotërinj, shumë shpejt paratë nuk do ju mjaftojnë. Dhe, në fund, kam një porosi nga studentët për zotin Rama”, u shpreh kryetari i grupit kuvendor demokrat, Edi Paloka.

Të rinjve të FRESSH iu është rimbursuar vetëm transporti, por pavarësisht kësaj Prokuroria duhet ta hetojë plotësisht, tha Kryeministri. Në të parën deklaratë në çështjen që opozita po kthen në kauzë, atë për votën, një çështje për të cilin ai vet dhe opozita që drejtoi insistoi fort dikur, Edi Rama deklaroi se është i hapur për të gjithë transparencën, që të djathtët kërkojnë.

“Në këtë pikë unë jam 100% me ju dhe jam shumë krenar se përsëri ne bëjmë një dallim shumë të qartë, ndryshe nga ju që nuk e pranuat qysh në sekondën e parë transparencën e zgjedhjeve të vitit 2009, ndryshe nga ju që nuk pranuat kurrë të shikonit në sy të vërtetën e fshehur në kutitë e votimit të vitit 2009. Ne jemi tërësisht të hapur për çfarëdo lloj rruge që ju dëshironi të ndërmerrni për të bërë faktimin e interpretimit tuaj”, u shpreh kryeministri Rama.

“Sot është një opozitë e tërë, është një shpurë e tërë ministrash, është
një forcë e tërë që për tetë vjet e mbajti Shqipërinë shah-mat dhe e
katandisi në një pikë, ku realisht Shqipëria nuk ka qenë kurrë më parë,
që vjen këtu edhe duke u nisur nga një fakt i interpretueshëm në dy
mënyra, ankimon gjithë zgjedhjet e 23 qershorit dhe madje bën edhe
llogari banale aritmetike, duke u nisur nga pagesat e transportit për
ata të rinj që vunë fytyrën e tyre, zërin e tyre, veten e tyre tërësisht
në dispozicion të Prokurorisë. Tani unë e kam thënë edhe më parë dhe
jua përsëris këtu sot, çdo gjë që ka lidhje me votën për mua vetë dhe
për të gjithë ne këtu që për votën kemi luftuar shumë, kemi sakrifikuar
jo pak, kemi humbur edhe njerëz, nuk është as e diskutueshme, as e
negociueshme dhe ju keni të gjithë të drejtën e Zotit që interpretimin
tuaj ta verifikoni përmes organeve të drejtësisë
”, tha Rama, në një fjalim më të zgjeruar.

“Nuk mund të fusim kokën në rërë si struci dhe thjesht të themi që fajin e ka PS, sigurisht që ju e keni fajin për atë që keni bërë në Korçë. Jeni përgjegjës në radhë të parë moralisht përpara njerëzve. Sigurisht që kemi ne faj që kemi bërë sikur nuk e kemi parë këtë fenoment, kur e bënin partitë në koalicion me ne dhe kjo nuk është demokracia për të cilën kanë nevojë shqiptarët. E çuam më pas më tutje dhe në të gjithë bëjmë sikur e harrojmë këtë gjë, deri edhe te shkëmbimi i deputetëve, e nisi Nano në parlamentin e 2001, e vazhduam ne kur do të zgjidhnim presidentin në 2007, e bëjmë prapë sikur nuk e shikojmë këtë gjë”, tha Olldashi.

Megjithë këtë deklaratë të Olldashit, që veçohet nga ato të deputetëve të tjerë demokratë, replikat mes tij dhe kryeministrit Rama kanë vijuar më pas, në seancën ku çuditërisht mungoi ish-kryeministri Berisha.

“Me ç’pamë me zë e me figurë te Top Channel, kredibël, ju ka kushtuar gjithë operacioni elektoral i vitit 2013 diku te 50 milionë euro. Secili nga një 5000 leksh, jepe votën se çfarë të kushton, se do rregullohemi pastaj”, tha Gent Strazimiri, deputet i PD.

“Dua të falënderoj median që e transmetoi, pasi është vërtet një gjë shumë e rëndë”, shtoi Olldashi.

“Unë ju komplimentoj për respektin e pakushtëzuar që shprehni edhe për emisionin ‘Fiks Fare’, por dëshiroj që këtë respekt ta shprehnit për gjithçka që lidhet me ato që janë bërë vijimësisht publike edhe për keqqeverisjen tuaj”, u shpreh Rama.

“Ne humbën për shkak të ‘Fiks Fare’, sepse ne nuk e pamë. Kurse ti e pe dhe e hëngre më 1 prill”, replikoi Olldashi.

“Sa për ‘Fiks Fare’, tani që keni ngrirë të gjithë, ju ka mbetur vetëm të shkrini Filipin”, përfundoi Rama.

Top Channel