Meta: Transparencë për armët kimike

07/11/2013 00:00

Kjo javë duhet të kishte qenë një javë festive për mazhorancën e re pas fitores në Korçë, por ajo që Fiks Fare transmetoi ditën e hënë, ku nga një zyrë shpërndaheshin para për studentë, me gjasa të FRESSH-it, për të siguruar transportin e tyre.

Kjo cështje ka zënë hapësirën në Kuvend, ku solli tension në sallë që kishte rënë që prej një muaji, kur në krye të sallës ishte ulur, Ilir Meta. Pikërisht për të folur për këtë cështje dhe për shumë të tjera, në studion e Top Story me gazetarin Sokol Balla këtë të enjte ishte i ftuar kryetari i Kuvendit, njëkohësisht kryetari i LSI-së, Ilir Meta.

Intervista

Sokol Balla: Zoti Meta në këto 2 muaj që jeni efektivë si mazhorancë, cfarë keni arritur nga ato që keni premtuar më 23 qershor?

Ilir Meta: Besoj se ekziston një frymë mjaft realiste e përballimit të situatës. Ekziston një përgjeghshmëir e lartë e kuptimit të prioriteteve më të mëdha, të përballimit të situatës kritike ekonomike dhe së dyti për forcimin e sundimit të ligjit në vend, që të dyja të lidhura me njëra-tjetrën. Besoj në këto pak javë të konstituimit të parlamentit dhe qeverisë së re janë dhënë mesazhe mjaft premtuese dhe energjike në këto dy drejtime. Kemi një angazhim serioz të mazhorancës së re për të stopuar degradimin e standardeve të ekonomisë sonë duke parë të vërtetat në sy dhe duke dhënë zgjidhje që kanë një kosto sot, por që sjellin në perspektivë një rritje afatmesme dhe afatgjatë. Angazhimi kryesor është për të zgjidhur cështjen e detyrimeve të papaguara të qeverisë ndaj bizneseve dhe sipërmarrjes që po mbyllen për shkak të këtyre detyrimeve të papërmbushura nga ana e qeverisë për disa vite, dhe që kanë sjellë një situatë mjaft serioze në drejtim të ruajtjes së vendve të punës dhe rritjes së nivelit të kredive të këqia. Me këtë nismë do të marrim një goditje që do të synojnë kapërcimin e situatës makroekonomike dhe gjallërimin e biznesit, injektimin e impulseve të reja, pra një klimë shumë më miqësore ndaj biznesit ndaj qytetarëve. Ndërkohë që kemi aksione të vendosura për forcimin e ligjit, që mund të duket se janë kundër sipërmarrjes, por që në fakt synojnë të crrënjosin evazionin fiskal, i cili i merr në mënyrë të padrejtë shoqërisë shuma të mëdha, buxhetit numra të jashtëzakonshme dhe janë të krijuara për përfitime për persona dhe grupe të caktuara. Mjafton të përmend kazinotë, lojërat e fatit, kapjen në flagrancë të veprimeve të rimbursimit të TVSH në mënyra fiktive, që shtonin në xhepat e zyrtarëve të lartë të tatimeve apo dhe përpjekje për të vendosur kontrollin mbi territorin e vendit, për t’i dhënë fund paligjshmërisë në ndërtimet pa leje dhe degradimit të mjedisit. Pra besoj që në këto drejtime kjo mazhorancë ka nisur me mjaft seriozitet, energji, përkushtim dhe vizion të qartë ku do të mbështetet e ardhmja. Kryeministri i mëparshëm paraqiste një situatë ekonomike tjetër, ndërkohë që realitetin e gjykuan shqiptarët më 23 qershor dhe bashkëpunimi i qeverisë së re me FMN dhe BB është i rëndësishëm dhe një bashkëpunim që unë ja kam kërkuar Berishës prej disa vitesh. I kam thënë që ky ka qenë qendrimi i Guvernatorit dhe ish-ministrit të Financave duke vlerësuar të gjitha simptomat e këqija të ekonomisë sonë.

Sokol Balla: Mendoni se keni humbur apo fituar popullaritet, nëse sot do të bëhej një sondazh? Mazhoranca juaj do të kishte fituar apo humbur?

Ilir Meta:  Absolutisht që do kishim fituar dhe më thellë se më 23 qershor. Ju e nisët emisionin me rastin e zgjedhjeve në Korcë. Kjo është një cështje që do të merret prokuroria, por zgjedhje nuk janë bërë vetëm në Korcë, janë bërë edhe në Karbunarë apo Rrethina, Dardhas dhe e majta fitoi me nivel të madh.

Sokol Balla: E thënë në përgjithësi, nuk mendoni që ajo që ne pamë, e zbehu atë rezultat të thellë?

Ilir Meta:
Nuk mund të bëj gjykime për Fiksin. Unë besoj që media ka të drejtën e saj të bëjë investigime dhe jam i bindur që drejtësia të bëjë punën e saj dhe të gjithë duhet të bashkohemi në këtë qëllim. Natyrisht opozita për faktin që është në tranzicion nuk dëshiron të pranojë këtë rezultat, ashtu sikurse nuk dëshiron të pranojë rezultatin e 23 qershorit dhe pse të gjithë e dimë që qeveria u përdor në funksiopn të PD, apo një administrim zgjedhjesh ku PD kontrollonte KQZ, e megjithatë ju e dini cili ishte ky rezultat, megjithatë edhe në 2011 në Korcë kanë qenë të thella. Mendoj që është një përpjekje për të justifikuar një rezultat dhe një gjendje.

Sokol Balla: Ishte apo jo blerje votash?

Ilir Meta: Nuk mund ta gjykojë se nuk e kam parë, kam parë gazetat, lajmet, por kam një qëndrim shumë të qartë, prokuroria të zbardhë këtë cështje dhe nëse ka blerje votash të vendosë para përgjegjësisë të gjithë personat që e kanë bërë këtë. Më 23 qershor ka patur angazhim të madh për të ndihmuar forca të ndryshme me emigrantë, nga toka, deti, ajri. Prokuroria të zbardhë cështjen dhe të marrë vendimet e saj të pavarura.

Sokol Balla: A keni folur me Ramën për këtë?

Ili Meta:
Jo nuk kam patur mundësinë që të flas me Ramën për këtë cështje, por ky është një qëndrim i përbashkët, parimor.

Sokol Balla: Sikur ta pranojmë që nuk ishte blerje votash, por përse ishte i nevojshëm ky sforcim?

Ilir Meta: Po pyesni një person që as ka qenë në Korcë për të bërë fushatë. Por nuk ka patur fare nevojë që të bëhej kjo, po se ca ishte t’ja lëmë prokurorisë.

Sokol Balla: Nuk do ishte më e ndershme nga ju, për të rivendosur moralin të anulonit zgjedhjet dhe t’i kryejmë edhe njëherë?

Ilir Meta:  Jemi në kushtet e shtetit të së drejtës, është kqz, kolegji zgjedhor. PD ka të drejtë të paraqesë provat.

Sokol Balla: Ju vetë nuk do ishit dakort për përsëritjen e zgjedhjeve?

Ilir Meta: Kjo do të ishte e parakohëshme, por nëse drejtësia  do të provojë këtë pretendim, kjo do të ishte një cështje tjetër.

Sokol Balla: Në tetor në rekomandimin e KE për statusin kandidat vlerësoheshin zgjedhjet e 23 qershorit, mendoni që rasti i Korcës rrezikon tashmë statusin kandidat?

Ilir Meta: Nuk e besoj sepse të gjithë do të kenë mundësinë të monitorojnë këtë proces. Së dyti bota ishte e shqetësuar për zgjedhjet e 23 qershorit, për mënyrën se si u hoq anëtari i KQZ, jo për të garantuar transparencën e procesit, apo shqetësimi për një angazhim të segmenteve të shtetit që janë të depolitizuar, si policia dhe institucione të tjera, nga presione të jashtëzakonshme që iu bënë administratës për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të votuar në favor të forcave në qeveri, ndërsa qytetarët e dhanë vendimin e tyre, dhe ishte një diferencë bindëse. Shqipëria e kaloi testin. Për një problem diku kjo është një cështje, në rast se qeveria bën presion mbi prokurorinë dhe gjykatat për daljen e së vërtetës, atëherë gjërat janë serioze.

Sokol Balla: Ju jeni “fajtor” për një klimë tjetër në Kuvend. Po bëja një kërkim dhe gjatë këtyre javëve nuk janë ndërprerë asnëjherë seancat nga sherret. Por ama opozita sot krijoi një farë tensioni dhe të hënën ka lajmëruar një protestë për Korcën dhe në mbështetje  qëndrimit të saj se blerja e votës është ajo që caktoi fituesin më 23 qershor. A po acarohet situata politike?

Ilir Meta: Këtë punën e blerjes së votës e bënë që pas 23 qershorit. PD mendoj që duhet të shohë drejt së ardhmes nuk duhet ta përjetojë më shumë dëshpërim kalimit në opozitë se në fund ishte 8 vjet në pushtet, që mund të mos kishte qenë nëse e majta do kishte patur zhvillime më të përgjegjshme dhe më të natyrshme. Kanë bërë punë të mira, por fajin kryesor nuk duhet ta gjejnë as tek PS as tek LSI, duhet ta gjejnë tek arroganca e tyre. Në fund të Kuvendit foli Brace dhe shumica e fjalës së tij ishte leximi i një editoriali të zëvendësit të Bodes dhe analiza e tij ishte krejt i kundërt me atë që Bode thoshte në media dhe tregonte aktualisht shkaqet reale të humbjes në Korcë. Për një parti që ka 23 vjet ekzistencë, ka vlera të rëndësishme dhe historike, që nga pluralizmi, NATO-n, hapat e caktuar drejt BE edhe në raport-progresin e KE duhet të gjejë vetën pozitivisht në shumë elementë dhe nuk ka arsye që të reagojë si parti pa përvojë. Është një e drejtë e tyre që të bëjnë miting, madje po t’i referohesha një analisti, është një parti që ka lindur në miting, sipas tij. Natyrisht kjo është një mënyrë për vëmendje, protagonizëm. E rëndësishme është që PD i qendron angazhimit për të kontribuar për marrjen e statusit kandidat. Sot kemi futur një mocion të PD për të mbështetur marrjen e statusit kandidat dhe manifestimet i shoh si një mënyrë shprehje. Në parlament PD ka patur dhe do të ketë hapësirat e rregullores, për meritë të mazhorancës që jam i detyruar si kryetar, që kur njëra palë kërkon respektimin strikt të rregullores ta zbatoj, por falë një mirëkuptimi që kemi, kemi gjykuar të devotshme që më mirë të akuzohemi për tolerancë se sa për arrogancë. Shpresoj që PD dhe opozita ta shfrytëozjë këtë hapësirë në mënyrë konstruktive.

Sokol Balla: Duken disa shkëndija, sidomos pas ngjarjeve të Korcës, duket se ka një rritje tensioni. Në këtë klimë të re, nëse do të ndanit përgjejgësinë, kush ka përgjegjësinë më të madhe, opozita mazhoranca apo qeveria?

Ilir Meta: Nuk dua të vihem në pozitë për të dhënë këtë vlerësim, por unë besoj që mazhoranca ka bërë dhe po bën cdo gjë për të mbajtur angazhimet e saj, por absolutisht që gjithcka është bërë në respekt të opozitës sepse flitet shumë për ndërhyrjen tek ligji i statusit, por është po kaq e vërtetë që raporti i KE tregoi qartë që kjo ndërhyrje ishte e domosdoshme për të shmangur bllokimin. Përpara se kjo të kalonte në qeveri, qeveria kërkoi bisedime me përfaqësuesit e opozitës. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri që qeveria të kërkojë të bisedojë me opozitën. Po të ishte bërë ky takim ndoshta s’do të ishte miratuar akti. Kjo tregon një qasje tjetër, sjellje tjetër ndaj opozitës, përvec rasteve të tjera kur kemi treguar një gatishmëri të madhe karshi opozitës.

Sokol Balla: Zoti Meta një nga tre vendimet e para të qeverisë së re ishte anulimi i eksporteve mbetjeve urbane që ju e keni votuar pro, ketë herë e votuat kundër, për anulimin. Në cilin prej vendemeve keni gabuar?

Ilir Meta: Kjo duhet parë në gjithë kontekstin e debatit para miratimit të këtij ligji, por edhe tani me vendimin që u mor nga qeveria dhe mazhoranca që doli nga zgjedhjet e 23 qershorit. Ne kemi qenë pjesë aktive, madje me ndërhyrjen e përfaqësuesve tanë, më saktë Haxhinastos, që në atë kohë ishte zv.kryeministër, është kërkuar dhe realizuar për të mos lejuar importin e mbetjeve me origjinë të papërcaktuar, por një vendim i tillë është shoqëruar me debate të mëdha të cilat më shumë se sa akti i ligjit kishin të bënin me standardet e agjencive ligjzbatuese në mënyrë që të mos abuzohej. PS e ka kundërshtuar në atë kohë dhe e ka patur një ndër premtimet elektorale bllokimin e importit të mbetjeve me prentendimin se kapacitetet tona për zbatimin e ligjit janë të dobta dhe kjo linte hapësira. Pas zgjedhjeve ne kemi ngritur nëj koalicion ku PS është forca kryesore me më shumë se 60 mandate. Ky ka qenë një nga premtimet kryesore të PS dhe në vazhdën e kësaj ne kemi shprehur mirëkuptimin tonë se në një koaliciion duhet të ketë kompromise. Ne nuk jemi votuar për të bllokuar nisma. Por është përgjegjësia në cështje që kanë të bëjnë me integrimin në BE, përmbushjen e detyrimeve, pra për cështje madhore, apo disa nga drejtimet tona kryesore në fushatën elektorale që të mbajmë qëndrime të qarta kur është e nevojshme.

Sokol Balla: OSBE sapo ka përfunduar një projekt 60 mijë ton armatime të shkatërruara ndër vite,  ndërsa qeveria thotë se është kontaktuar për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë? Seriozisht e keni?

Ilir Meta: Ekziston një deklaratë e Ministrit të Jashtëm, zotit Bushati që thotë se jemi kontaktuar, por nuk ka një vendim. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, i angazhuar në luftën kundër terrorizmit, me kontribut të spikatur në këtë drejtim, shumë përpara 11 shtatorit dhe është aktive në planin ndërkombëtar për të mbështetur të gjitha përpjekjet që kanë të bëjnë me paqen. Këto ditë kemi parë lajme të ndryshme.

Sokol Balla: Jeni i sigurtë që jeni kontaktuar nga amerikanët? Pasi opozita thotë që nukjeni kontaktuar.

Ilir Meta:
Unë s’mund të flas në emër të qeverisë. SHBA dhe NATO janë të interesuar për t’i dhënë një zgjidhje dhe normale që të kontaktohen të gjitha vendet e Aleancës, por mund t’ju them që cdo vendim do të jetë transparent dhe në interes të vendit dhe fjalën e fundit do ta thotë parlamenti.

Sokol Balla: Debati është i thjeshtë, në pak ditë mbi 10 mijë veta kanë firmosur një peticon kundër. Ndër vite kemi treguar me incidente që nuk i kemi kapacitetet për shkatërrimin e armëve kimike siriane. E rëndëishme është të dimë nëse qytetarët do të pyetën apo jo për këtë vendim që do të merrni për armët kimike?

Ilir Meta: Unë nuk jam ekspert as i armatimit, as i carmatimit dhe as i mjedisit. Personalisht ndaj të njëjtin mendim me ju. Nuk kam besim që ne i kemi këto kapacitete sepse përderisa vende të tjera më të mëdha dhe më të zhvilluara si pranojnë këto kapacitete, as ne s’i kemi. Kjo situatë do të vazhdojë, por unë kam besim, e theksoj, cështjen e transparencës sepse kjo është cështje për t’u verifikuar dhe nuk ka asnjë arsye që ne të marrim vendime për të cënuar të ardhmen e qytetarëve tanë dhe gjeneratave të ardhme. Shqipëria është anëtare e NATO-s ka detyrimey e saj, por do të marrë ato përgjegjësi që është në gjendje të mbajë përsipër, jo ëprgjegjësi që s’i mbajnë supet e saj.

Sokol Balla: A ka LSI, ju personalisht një qëndrim për këtë cështje?

Ilir Meta: Mund t’ju them që nuk kam dhe nuk kam kërkuar ndonjë informacion edhe më shumë se sa keni ju sepse jam i bindur që qeveria në gjykimin e kësaj cështjeje do të thellohet dhe nuk kemi pse të paragjykojmë një vendim që s’mund të jetë i mbyllur dhe jashtë syve dhe gjykimit të qytetarëve tanë.

Sokol Balla: Ka patur disa debat mbi ligjshmërinë e disa aksioneve të qeverisë nëpërmjet disa task forcave apo INUK, a jeni konsultuar për këto? A i mbështesni?

Ilir Meta: Ne mbështesim forcimin e ligjit përmes forcimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Paligjshmëria ishte ulur këmbëkryq. Situata kishte degraduar, sidomos vitin e fundit para zgjedhjeve. Ka një motivim të policisë së shteitt. Ka një shkundje të saj, ka një angazhim evident që nuk ka qenë më parë, ka disa aksione që janë zhvilluar dhe kanë fituar simpatinë e opinionit të gjërë, ka dhe shqetësime për respektimin e ligjit apo arbitraritet këtu-aty, por ajo që po ndodh është nismë e gjithë agjencive ligjzbatuese për zbatimin e ligjit dhe në këtë pikë ky angazhim ka mbështetjen tonë.

Sokol Balla: Jam dakort që 1 mln votat ishin edhe kundër situatës kaotike urbane, por ju u votuat edhe për një arsye tjetër, që shqiptarët u lodhën me një qeveri që thoshte që ligji jam unë…


Ilir Meta:
Unë mendoj që ligji është ligj dhe duhet t’i nënshtrohen të gjithë, Qeveria, Presidenti, Kuvendi dhe qytetari më i thjeshtë.

Sokol Balla: Kam këtu vendimin për unifikimin e kompetencave të INUK kur konstaton objekt të kundërligjshëm me ose pa leje…

Ilir Meta: Duhet lexuar i gjithë vendimi që nga fillimi deri në fund. Po absolutisht që nuk është një vendim që zëvendëson gjykatat apo prokurorinë, ky është një vendim që mund të shikohet dhe të vlerësohet nëse sfidon ligjin.

Sokol Balla: Unë nuk vë në dyshim qëllimet. Unë jam dakort që ky kaos urban duhet të zhduket, por nëse na kërkojnë ndonjë gjë ndërkomëbtarët, thonë është zbatimi i ligjit…

Ilir Meta: Unë nuk mund të marr përsipër të them që nuk ka patur asnjë arbitraritet dhe e theksoj që cdo punonjës i cdo institucioni duhet të jetë i përgjegjshëm në respektimin e ligjit sepse prodhon pasoja për shtetin. Por një rast nuk mund të kompromentojë domosdoshmërinë e asaj që thatë ju. Jo vetëm bregdeti, që ka marrë goditjen më të rëndë, por edhe në Theth kanë nisur ndërtimet që dëmtojnë atë bukuri përrallore. Pra paligjshmëria është një fenomen në rang kombëtar dhe kjo goditje është e domosodshme ashtu sikundër profesionalizmi. Natyrisht që vendimi i gjykatës i jep një drejtim të caktuar cështjes në fjalë dhe kjo tregon që sistemi funksionon.

Sokol Balla: Ju jeni partneri i rëndësishëm i PS, dhe ju thatë që keni marrë një rol moderues, por sa i përket bashkëqeverisjes a do luajë LSI një rol ekuilibrues deri diku, për të tërhequr frerët kur shikon që kali ecën më shpejtë?

Ilir Meta: Të ecim shpejt por mbi shinat e ligjit. Kjo qeveri ka treguar energji domethënëse këto javë, një vizion nga pikapamja strategjike shumë e qartë. Në ekonomi për të stabilizuar atë dhe marrjen e masave për rritjen dhe për forcimin e ligjit në të gjitha aspektet e tij. Besoj që në këto shina, kjo qeveri dhe kjo mazhorancë ecën e sigurtë dhe natyrisht rast pas rasti do të ketë edhe gabime, por besoj që ekziston energjia për të reflektuar dhe për të reaguar me përgjegjshmëri sepse kokëfortësia asnjëherë nuk është e dobishme, dhe besoj që kjo mazhorancë ndryshon edhe tek aftësia për t’u vetëkorigjuar.

Sokol Balla: Keni ndonjë koment për marrjen në ndjekje penale të Shpëtim Gjikës?

Ilir Meta: S’kam asnjë koment. Mendoj që të dyshohet është dicka normale. Drejtësia duhet të marrë vendimin e saj pa ndikimin e politikës.

Sokol Balla: Kemi parë që përpos aksioneve të Ministrisë së Brendshme, kemi parë dy aksione me emra pak të njohur nga mazhoranca aktuale, për incidentin në Drejtorinë e Doganave me djalin e presidentit Mejdani dhe Shpëtim Gjikën. Si duhet ta shohë opinioni atë, që mazhoranca po godet brenda vetes ku ka shkelje, se sa kundërshtarin politik?

Ilir Meta: Se besoj që zbatohet një praktikë e tillë, por mqs ju përmendet cështjen e ndërtimeve apo aksionet mund t’ju them që nuk ka patur dhe nuk ka qëllime selektive madje mund t’u them që edhe kolegë nga e majta më shmë se nga e djathta kanë shprehur shqetësime për funksionarë të caktuar. Nuk ka një politikë selektive besoj unë.

Sokol Balla: Fundi i marrëzisë është një aksion që mirëpritet, por po të dalësh në rrugët e Tiranës sot, 80 përqind e këtyre salloneve janë rihapur. Para dy javësh një pronar është ekzektuar, ndërsa jo më larg se dje një grua është mbytur nga bashkëshorti i saj që luante bixhoz… a ka ardhur vërtet fundi i marrëzisë?

Ilir Meta: Është një problem social dhe evazioni fiskal. Zoti Basha bëri një propozim për spostimin dhe disiplinimin e këtyre. Është një fakt që përmasa e informalitetit në këtë fushë ka qenë e jashtëzakonshme. Aksioni mendoj ka qenë një aksion mjaft i domosdoshëm për t’i dhënë një goditje përfundimtare evazionit në këtë fushë, për të formaliziuar këto aktivitete, ku qarkullojnë shuma të mëdha dhe sa i takon perspektivës së kësaj fushe, qeveria duhet të bëjë të qartë, të gjithë duhet të jemi të qartë se formalizimi i këtyre është i pashmangshëm.

Sokol Balla: Keni 85 vota në Kuvend, përse nuk mriatoni një ligj për këtë, për ndërtimet, për gjithcka që ta zbatoni më pas në mënyrë që të mos akuzoheni për shkeljet e ligjit pastaj me pa të drejtë?

Ilir Meta: Kjo qeveri ka pak javë dhe ligjet kërkojnë kohë.

Sokol Balla: Ka disa kritika që qeveria po shfaq disa shenja arrogance…

Ilir Meta: Duhet të ndajmë vendosmërinë nga arroganca. Unë e theksoj që kjo mazhorancë e re, ndryshe nga e mëparshmja ka avantazh aftësinë për të respektuar dhe për t’u përmirësuar.

Sokol Balla: Nëse do t’ju kërkoja, një notë duke përjashtuar 10 dhe 4, një notë për qeverinë?

Ilir Meta: Nuk vendos nota sot këtu sepse do të thonit që morët atributet e gjykatësit. Mund t’ju them që qeveria është mjaft premtuese dhe suksesi i saj është një sukes për gjithë vendin. Sfidat janë të mëdha dhe të vështira ekonomia, Siria, ka kriza të tjera gjithashtu që do tërheqin energjitë e partnerëve tanë gjithashtu dhe na duhet të jemi vigjilentë për të ruajtur stabilitetin ekonomik. Në përiudhat e fundit dihet që kemi rritje të papunësisë dhe varfërisë, ndaj qeveria duhet të gëzojë mbështetjen tonë dhe do të ketë.

Sokol Balla: Si po punojnë ministrat e LSI?

Ilir Meta: Nuk dua të bëj ndarje parciale, por besoj që janë mjaft bashkëpunues dhe të përgjegjshëm si pjesë e të gjithë qeverisë dhe e gjithë qeveria është një ekip që po kompaktësohet gjithnjë e më shumë.

Sokol Balla: LSI po shtohet gjithnjë e më shumë. Jeni 19 deri më tani, është e vërtëtë që do shkoni 25?

Ilir Meta: Kjo është një deklaratë që e ka bërë Nikollë Lesi. Mund të jap një sqarim që ka patur keqkuptime. Në Elbasan nga Luan Duzha, unë jam kontaktuar nga një i afërm i tij që më ka kërkuar mua që t’u thosha komisionerëve të LSI-së në Elbasan që t’i ruanin votat nga PD, sepse ja kishin hequr përfaqësuesit republikanes. Unë pa e disktuar u kam dhënë porosi zyrës së LSI-së që të ruhen votat që të mos bëhen devijime. Dhe këtu lindi një konflitk dhe raport mosbesues, ashtu sikurse me zotin Kadeli kemi një raport të vjetër. E kam takuar dhe i kam thënë për të qenë në listën e LSI-së në Lezhë, por i kam thënë pas marrëveshjes me zotin Berisha, por zoti Berisha nuk i qëndroi dha dorëheqjen nga PD, kështu që ai natyrshëm ka ardhur në një forcë të majtë.

Sokol Balla: Kur erdhi Kadeli, ju e pranuat direkt apo u konslutuat me zotin Rama?

Ilir Meta: Zoti Kadeli kërkoi të bashkohej me grupin e LSI-së dhe besoj që kaq është e mjaftueshme për t’u bashkuar me Aleancën për Shqipërinë Europiane. Për ne nuk është i rëndësishëm numri i deputetëvë, për ne është i rëndësishëm të qëndrojmë fort, me përfaqësim sa më dinjitoz të atyre që votuan LSI-së më 23 qershor dhe të mos përsërisim gabimet e së kaluarës dhe jam i bindur që angazhimi ynë do të vijojë të mbështetet gjithnjë e më shumë nga qytetarët.

Sokol Balla: Do pranonit një grup deputetë PS që janë të pakënaqur?

Ilir Meta: Nuk besoj që ka deputetë të PS të pakënaqur dhe së dyti nuk është i rëndësishëm numri i deputetëve. I rëndësishëm është mbarëvajtja e qeverisë.

Sokol Balla: Raporti me Ramën?

Ilir Meta: Raporti është mjaft bashkëpunues.

Sokol Balla: Si drejtues i Kuvendit, me sa duket ky raund i parë i bisedimeve për të gjetur dy anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese ka dështuar. Do tentoni sërish marrëveshje me Presidentin apo do shkojmë tek skenarët Topi-Berisha?

Ilir Meta: Unë siguroj që dekretet e Presidentit nuk do të qëndrojnë asnjëherë në sirtar dhe e dyta vullneti i kryetarit të parlamentit dhe i gjithë neve për të bashkëpunuar me Presidentin ka qenë dhe mbetet tepër i sinqertë dhe konstruktiv. Nëse ka patur disa mendime të ndryshme për cështje që kanë të bëjnë me kriteret e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese… Presidenti ka kompetencat e tij, parlamenti të tijat.

Sokol Balla: Në zyrën tuaj nuk e kishit hequr foton e Nishanit, e kishit zhvendosur pak, por nuk e kishit hequr?

Ilir Meta: Nuk kisha si ta zhvendosja sepse nuk e kisha një foto të Nishanit në zyrë, nuk gjeta një foto të presidentit atje, por e vendosa.

Sokol Balla: Ju po thoni që zonja Topalli nuk e kishte foton e Presidentit?

Ilir Meta: Jo nuk po them ketë, mbase e ka patur, por unë nuk e gjeta.

Top Channel