Snowden nis punë në Rusi

31/10/2013 15:20

I shumëkërkuari për spiunazh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Edward Snowden, do të nisë një punë në Rusi, ku jeton si azilant politik.

Mediat ruse lajmëruan këtë të enjte se 30-vjeçarit i është ofruar një vend pune nga një uebsajt i rëndësishëm.

“Edward do të nisë punë në Nëntor”, konfirmoi avokati i tij mbrojtës, Anatoly Kucherena për agjensinë “RIA Novosti”.

Megjithatë, Kucherena saktësoi se për momentin vendi i tij i punës do të mbahet i fshehtë për arsye sigurie.

Më parë gjatë Tetorit, Snowden refuzoi një pozicion prestigjioz për llogari të “VKontakte”, përgjigja ruse ndaj “Facebook”.

Ish-punonjësi i NSA-s, Snowden ishte personi që bëri të njohur për botën ekzistencën e një programi të spiunimit kompiuterik nga ana e autoriteteve amerikane.

Programi në fjalë ngjalli reagime të ashpra botërore, pasi ai përfshinte edhe përgjimin e qeverive të huaja dhe të komunikimit kompiuterik të të gjithë personave të përzgjedhur prej shërbimeve sekrete në shumë prej vendeve aleate.

Nga ana e tij, Snowden ka saktësuar se vendosi të bënte publik ekzistencën e programeve të përgjimeve pasi mendonte se Uashingtoni po gabonte duke luajtur një “lojë të pistë”, por theksoi se nuk ka bashkëpunuar kurrë me Shërbimet Sekrete Ruse apo agjensi të tjera të inteligjencës në botë.

Top Channel