Reforma në drejtësi, “shkrihen” Task-Forcat

30/10/2013 00:00

Njësitë antikorrupsion, të ngritura pranë gjashtë prokurorive të
rretheve në vitin 2007, me “bekimin” e amerikaneve, rrezikojnë
seriozisht të “shkrihen”, si pasojë e ndryshimeve të pritshme në Kodin e
Procedurës Penale dhe në ligjin “antimafie”.

Sipas projektligjit të Ministrisë së Drejtësisë, 21 akuza të fushës së korrupsionit pritet të hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila do të verifikojë edhe pasuritë e të arrestuarve, të hetuarve, apo edhe të familjarëve të tyre. Më parë, pra hetimi penal i këtyre veprave, bëhej në njësitë Task-Forcë, që janë në gjashtë rrethe, dhe tashmë, të gjitha këto procedime pritet të transferohen te Krimet e Rënda. Por, nga njëra anë ngrihet një superstrukturë, e cila përfshin edhe Byronë Kombëtare të Hetimit, dhe nga ana tjetër sjell “shfryrjen” e këtyre njësive, të cilat, në momentin e krijimit, dhanë disa rezultate, por vendimet e mëvonshme të gjykatat i kanë zeruar të gjitha arritjet. Janë dhënë shumë pafajësi dhe akuza e pastrimit të parave është provuar shumë pak, për të mos thënë aspak.

Me këto ndryshime, sistemi i prokurorisë do të ketë lëvizje prokurorësh dhe oficerësh të policisë gjyqësore. Shumica e oficerëve pritet të kalojë në radhët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, madje edhe disa që janë pjesë e prokurorisë. Ndërkohë, do të ketë lëvizje prokurorësh, pasi trupa aktuale e Krimeve të Rënda, e cila përbëhet vetëm nga 16 prokurorë, nuk mund të përballojë një fluks të madh të këtyre veprave, që do të jenë nga e gjithë Shqipëria. Ka informacione se disa prokurorë të njësisë Task-Forcë në Tiranë do të transferohen tek Krimet e Rënda, dhe në këtë mënyrë, nuk nevojitet pëlqimi i prokurorit, pasi është për ndryshime strukturash.

Por, nuk mbaron me kaq ky rotacion, pasi me shtimin e prokurorëve, nevojitet të shtohen edhe gjyqtarët. Sërish, ka vetëm 16 gjyqtarë dhe, në momentin që do të miratohet ky ligj, atëherë do të shtohen proceset gjyqësore. Në “lojë” do të futet KLD-ja, apo Ministria e Drejtësisë, duke shtuar numrin total të gjyqtarëve në këtë gjykatë.

Dy ditë më parë, Ministria e Drejtësisë i paraqiti qeverisë projektligje për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale dhe ligjit “Antimafie”. Në to detajohej se korrupsioni, si vepër penale, ashtu për vënien e pasurisë, do të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Megjithatë, këto ndryshime të pritshme, sipas specialistëve, janë të pabazuara në ligj, madje nuk është marrë mendimi i grupeve të interesit. Madje, edhe për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, specialistët shprehen se kjo strukturë nuk mund të ngrihet dhe të hetojë ministrat, deputetët apo gjyqtarë, pasi është një vegël në duart e politikës.

 

Top Channel