Komisioni Parlamentar i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik
miratoi kalendarin e punës, në të cilin përfshihen hapja e procedurës
për plotësimin e tre vendeve vakante në Autoritetin e Medias
Audiovizive, përfshi shqyrtimin e strukturës së këtij institucioni.

“Autoriteti i është drejtuar kryetarit të Kuvendit dhe kryetarit të Komisionit të Arsimit dhe Medias, me një shkresë para dy javësh. Kryetari i Kuvendit na e ka përcjellë për veprim dhe ashtu siç konfirmohet edhe nga Shërbimi i Monitorimit të Kuvendit ka tre vende vakante, të cilat duke patur parasysh procedurën se si zgjidhen me propozime të përzgjedhura nga maxhoranca dhe nga opozita, që kërkojnë një interpretim për ndarjen e këtyre vendeve, duhet të plotësohen. Eshtë detyra jonë në kohën e duhur, pasi të qartësojmë këtë moment, të hapim këtë procedurë”, tha Genc Pollo, kryetar i Komisionit.

Nënkryetari Alfred Peza kërkoi që këto dy çështje që lidhen me AMA të diskutohen gjatë një procesi tërësor dhe jo të ndarë. Ndërsa deputeti i opozitës Luçiano Boci ishte kundër këtij propozimi.

“Për të mos zhvilluar dy procese paralele, për t’iu përgjigjur frymës dhe germës së ligjit dhe për t’iu përgjigjur edhe sfidave që ky Komision duhet të përballojë në lidhje me reformimin tërësor të institucionit të mediave publike, përfshi edhe AMA-n në këtë rast, sygjerojmë një shikim më tërësor të procesit të reformimit të AMA-s dhe jo vetëm zëvendësimin mekanik të tre anëtarëve, që i ka përfunduar mandati”, tha Peza.

“Fillimisht vazhdon me procedurën zëvendësuese dhe më pas me diskutimet e tjera, nëse ligji e kërkon, nëqoftëse zonja në fjalë, që është edhe kryetare e AMA-s ka të drejtë mandatuese të jetë katër vite ose në afatet që përcakton ligji. Këto duhet të jenë pjesë e një seance tjetër mendoj unë, pasi të përfundojë edhe përmbushja e anëtarëve që duhet të vendosen në vendet vakante. Të mos bëhet njëkohësisht, por të bëhet hap pas hapi”, tha Boci.

Kryetari i këtij Komisioni Genc Pollo duke iu referuar ligjit, nuk e fshehu dëshirën e opozitës, që kryetarja aktuale Endira Bushati të vijojë së drejtuari AMA-n.

“Besoj që ligji është mëse i qartë në gërmën dhe frymën e tij, në trupën kryesore dhe në dispozitat kalimtare që mandati i anëtarëve të AMA-s, anëtarëve ekzistues është dhe do të ushtrohet i plotë deri në përfundimin e tyre. Përfundimi është periudha pesëvjecare që nga dita e emërimit, ky është ligji në gërmën e tij dhe do të ishte e gabuar që nga një anëtar apo një grup anëtarësh të Komisionit të tentohej të shkelej hapur”, tha Pollo.

Maxhoranca dhe Opozita do të kenë nga një relator për këtë çështje. Ndërsa diskutimet për plotësimin e tre vendeve vakante dhe strukturën e AMA-s do të nisë pas dy javëve.

Jep dorëheqjen nënkryetari i AMA-s

Nëpërmjet një njoftimi për median AMA njoftoi paraditen e të hënës dorheqjen e nënkryetarit të këtij institucioni Sami Neza. Duke cituar zotin Neza njoftimi thotë se kjo dorëheqje është një akt personal jo e diktuar nga ligji me qëllim për lehtësim të vendimarrjes së Kuvendit. Sipas zotit Neza, dorëheqja do të ndihmojë për thellimin e ekuilibrit në drejtimin e AMA. Sami Neza pas kësaj dorëheqje do të vijonë të mbajë  detyrën e anëtarit të Këshillit të AMA.

Top Channel