“Në krah të familjeve të policëve të vrarë”

26/10/2013 00:00

Kryeministri Edi Rama, ministri i Punëve të Brendshme Sajmir Tahiri dhe
drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit përkujtuan të gjithë ata
efektivë të policisë të rënë në krye të detyrës.

Familjeve të 254 policëve që kanë humbur jetën në përballjen me krimin, Kryeministri u përcolli mesazhin se ata nuk janë një çështje periferike por shteti do të bëjë gjithcka për t’u dhënë mbështetje. Nga kjo ceremoni  kryeministi Rama u angazhua se do bëhet gjithçka për të marrë hak në emër të ligjit duke luftuar krimin .

“Askund tjetër nuk është regjistruar një numër i tillë të vrarësh në polici dhe krimi të ketë marrë një epërsi siç ka marrë në vendin tonë të vogël, por besoj se askund tjetër këtu sot ekzistojnë arsyet për të marrë hak në emër të ligjit, në emër të komisarëve dhe policëve të vrarë barbarisht nga kriminelë e rrugaçë që shumë raste kanë pasur krahët e ngrohta. Për të marrë hak në emër të fëmijëve e nënave të tyre që sot kanë mbetur pa baba apo burrë. Për të marrë hak në emër të të ardhmes që kërkon nga ne të gjithë të jemi në lartësinë e kujtimit të atyre që ne sot kujtojmë.”

I vetëdijshëm për vështirësitë që ndeshen uniformat blu në kryerjen e misionit të tyre kryeministri Rama premtoi ndryshimin e kësaj situate.

”Jam besimplotë se tetorin e ardhshëm do të vijmë këtu me kokën lart sepse do të kemi bërë një e nga një detyrat tona ndaj secilës prej familjeve të dëshmorëve të Policisë së Shtetit, duke bërë kështu detyrën e parë ndaj vetë atyre. Por jo vetëm ndaj familjeve, jo vetëm ndaj grave të mbetura vetëm, asnjëra prej të cilave nuk do të jetë pa punë vitin e ardhshëm”, tha Rama.

Mesazhi i ministrit Tahiri ishte i prerë kur tha se paprekshmëria e punonjësit të policisë do të jetë parim themelor.
 
”Kemi një mision të shenjtë. Të ndërtojmë Shqipërinë e ëndrrave të fëmijëve të policëve që ranë në krye të detyrës dhe fëmijëve të këtij vendi.Ministria e Punëve të Brenshme zotohet më përulje se do të bëjë gjithçka është e mundur për të përmbushur angazhimin solemn të Qeverisë dhe Kryeministrit për të gjithë policët e rënë në krye të detyrës, me garantimin e strehimit të të gjitha familjeve, punësimin për të gjitha gratë dhe kujdesin për arsimimin e të gjithë fëmijëve të mbetur jetimë të policëve të vrarë në krye të detyrës në përballje të tyre me krime. Paprekshmëria e punës së policisë do të jetë parimi themelor në ushtrimin e detyrës”, u shpreh Tahiri.

Gjithashtu ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi se ka nisur puna për rishikimin e dosjeve të policëve të vrarë dhe po përgatitet një plan për të lehtësuar kushtet e jetesës së familjeve të policëve të vrarë.

Një ditë më parë Policia e Shtetit publikoi Buletinin e muajit tetor, që i referohet periudhës 17 shtator-17 tetor, ku flitej për 80 veprave penale çdo ditë. Një shifër e lartë jo vetëm për evidentimin e tyre, por edhe sasinë e krimeve që kryhen në territorin shqiptar çdo ditë. Shifra e lartë e arrestimeve i referohet personave në kërkim. Të paktën 187 prej tyre u arrestuan sipas policisë gjatë këtij muaji, 15 prej të cilëve ishin në kërkim ndërkombëtar.

Top Channel