Kreu i Operës, largohet Zhani Ciko, emërohet Ilir Kerni

26/10/2013 00:00

Qeveria ka vijuar procesin e shkarkimeve dhe emërimeve në institucionet e
rëndësishme shtetërore. Dje ka vijuar procesi me institucionet e
kulturës siç është Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit
Popullor dhe po kështu Galeria Kombëtare e Arteve.

Maestro Zhani Ciko është shkarkuar dje nga detyra e drejtuesit të Teatrit Kombëtar dhe në vend të tij është emëruar baletmaestri, Ilir Kerni. Ky i fundit aktualisht mban pozicionin e baletmaestrit të trupës së baletit të Zagrebit.Në Kroaci ku zhvillon aktivitetin e tij prej vitesh, Ilir Kerni ka marrë një serë çmimesh nderi.

Ndërsa piktori Rubens Shima është shkarkuar dje nga posti i drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe në vend të tij është emëruar Artan Shabani. Ky i fundit është një kurator i njohur i artit pamor dhe ka prej vitesh një karrierë të pasur artistike në vendin fqinj, Itali. Ky emërim do të bëjë që si Kerni ashtu dhe Shabani të kthehen në Shqipëri me familjet e tyre për drejtimin e këtyre institucioneve të rëndësishme të artit në vend, pas përvojave të pasura jashtë tij.

Top Channel