Pas një seance maratonë, Parlamenti miratoi me 79 vota pro dhe 42 kundër aktin normativ, që ndryshon buxhetin e shtetit.
Votave të mazhorancës pro aktit, iu bashkuan edhe dy deputetët e opozitës, Mhill Fufi dhe Eleina Qirici. Hamendësohet se dy deputetët kanë votuar pro aktit, për shkak se janë deputetë të rinj dhe nuk njohin mirë procedurën e votimit.
Akti normativ ka shkaktuar debate të forta në Parlament mes mazhorancës dhe opozitës. Ministri i financave, Shkëlqim Cani, sqaroi para deputetëve se përse ishin të detyruara ndryshimet.
“Buxheti i vitit 2013 nuk është gjë tjetër veçse reflektim i situatës aspak pozitive, në të cilën gjenden financat publike të shtetit dhe ekonomia shqiptare. Është fakt se ky buxhet nuk bën gjë tjetër veçse zbaton atë të keqe që na la”, u shpreh Cani.
Por, paraardhësi i tij demokrat, Ridvan Bode, akuzoi qeverinë se përmes ndryshimeve në buxhet po zhyt qëllimisht ekonominë në krizë.
“Qeveria do me çdo kusht, ta paraqesë në krizë punën e saj, por po bën atentatin më të madh ndaj ekonomisë së vogël të shqiptarëve, që e kanë ndërtuar me mund e djersë dhe që i kanë dhënë dinamizëm edhe atëherë kur ekonomitë e fuqishme, në mënyrë të njëpasnjëshme, u kolapsën në vorbullën e krizës globale. Ky buxhet vjen pikërisht për të legjitimuar propagandën boshe, hakmarrëse, të atyre që sot kanë marrë revanshin e pushtetit”, tha Bode.
Ish-kryeministri Sali Berisha tha se përmes këtij buxheti, socialistët po vënë në jetë skenarin grek për Shqipërinë.
“Sot këtu vendoset faza e dytë e skenarit të Jorgo Papandreut. Në matematikën e Ramiz Alisë, që paraqiti eksperti i patateve dhe vjedhjes së floririt, Shqipëria dhe ekonomia e saj ecin me shpejtësi drejt gropës, ndaj thirrja ime është, hidheni poshtë këtë dekret, që mbart në vetvete fazën e dytë të një skenari ogurzi për ekoniminë shqiptare, atë të zhytjes së saj në recesion dhe në krizë të pashmangshme”, tha Berisha.
Por, kyetari i Komsionit parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe, tha se financat erdhën në këtë gjendje, pikërisht për shkak të shkeljes në seri të ligjit nga Sali Berisha.
“Kështu në maj, kur Sali Berisha vendosi të ulë taksat elektorale, duke cënuar rëndë në ulje të ardhurat për muajt më pas. Kështu edhe në qershor, në shkelje të ligjit, edhe në korrik, kur Sali Berisha vendosi të rrisë pagat dhe pensionet edhe pse nuk kishte të ardhurat dhe po merrte borxh për t’i paguar ato, duke cënuar rëndë në rritje shpenzimet për muajt më pas. E njëjta gjë në gusht e në shtator, në shkelje të plotë të ligjit. Ky është krim i konsumuar me dashje dhe ti, Sali Berisha, duhet të përgjigjesh. Nuk mundet që ti të kesh fatin e kryeministrit grek, Karamanlis. Nuk mundesh ti, që sot të bësh treguesin e përrallave me ‘Spider Man’ (Njeriu Merimangë) nga kulla prej 22 katesh, ku ke zyrën tënde prej 200 metrash”, deklaroi Braçe.
Buxheti i vitit 2013 parashikon shkurtimin e shpenzimeve publike me 16,2 miliardë krahasuar me planin fillestar dhe rritjen e deficitit me 22 miliardë lekë të tjera shtesë.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se arka është gjetur bosh dhe se ndryshimet ishin të nevojshme. Ai akuzoi ish-mazhorancën për abuzime me buxhetin.
“Nga 174 milionë dollarë për bukën e gojës në prill, maj, qershor, muaj që përkojnë me pragun dhe pastaj me fushatën elektorale janë shpenzuar 94 për qind të fondit pa dashur kush t’ia dijë se ku do ta gjejnë në korrik, në gusht, në shtator, në tetor, në nëntor dhe në dhjetor bukën e gojës, ata të cilët nuk kanë asnjë mundësi tjetër përveçse të presin ditën e shënuar të muajit për të marrë këto para të bukës së gojës nga shteti dhe nuk kanë për fat të keq mundësinë që ta sigurojnë bukën vetë. Nga 174 milionë dollarë që ishin përcaktuar për këta njerëz keni harxhuar 94 për qind për fushatë elektorale dhe sot në arkën e shtetit janë vetëm 7 milionë dollarë, ndërkohë që radha e gjatë e invalidëve të këtij vendi pret me sytë nga qielli bukën e gojës. Jo sipas nesh, por pikërisht sipas Bankës Botërore dhe FMN-së bashkarisht, sepse ne ndërkohë në mirëkuptim me ta kemi kërkuar dhe një audit të posaçëm, afërsisht 200 milionë dollarë punë të tenderuara publike për ato shiritat dhe të papaguara; 20 milionë dollarë për ujë dhe për kanalizime; 30 milionë dollarë për shëndetësinë, i keni lënë ju pas në formë pas në formë faturash. Po ashtu për arsimin keni lënë pas fatura 20 milionë dollarë”, deklaroi Rama.
Ndryshe nga votimi për aktin normativ të propozuar nga qeveria, mazhoranca dhe opozita bashkuan votat për të dy projektligjet e tjera, njëri prej të cilëve ishte ai mbi grantet në agrikulturë.
Top Channel